MASR, studim mbi nevojat e tregut në mësuesi

TIRANË, 29 maj/ATSH/ – Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka nisur një studim mbi kërkesat e tregut për programet arsimore për të cilat ka më shumë nevojë, ndërsa prioritet për këtë mandat mbetet zgjedhja e mësuesisë.

Gjatë një intervistë dhënë mbrëmjen e sotme për “TV Kombi” në Fier, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se për këtë mandat, orientimi i studentëve cilësorë drejt mësuesisë përbën prioritet për këtë të fundit.

“Sivjet kemi program kryesor mësuesinë dhe po shohim nevojat e tregut. Të rinjtë dhe familjet shqiptare ende nuk e dinë se cilat janë ato programe për të cilat ka nevojë tregu. Ne po bëjmë studim mbi këtë gjë dhe po bëjmë politika për të mbështetur programet që kanë nevojë tregu”, – tha Nikolla.

Ajo sqaroi se do i jepet fund faktit që nxënësit e dobët të drejtohen drejt degëve të mësuesisë. Në këtë kuadër, ajo sqaroi se në mbështetje të kësaj është vendosur që të rritet mesatarja për të zgjedhur këto degë që është mbi 7 dhe rimbursimi nga ana e shtetit për ata që kanë mesatare mbi 9.

Lidhur me punësimin e mësuesit, ajo tha se portali “Mësues për Shqipërinë” është kthyer në një mjet punësimi.

“Përmes portalit bëhet testimi dhe renditja në bazë të meritës. Ajo që ka bërë ky portal është që i ka thënë stop injorancës dhe korrupsionit. Në Fier janë punësuar 278 mësues falë këtij portali”.

Duke prekur çështjen e inspektimit të shkollave, Nikolla tha se do të ngrihen 4 drejtori rajonale që do të varen nga Agjencia Kombëtare e Matjes së Cilësisë Parauniversitare për të matur cilësinë e arsimit.

Gjithashtu, ajo tha se oficerët e sigurisë po funksionojnë shumë mirë në 15 shkollat e Tiranës. /z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.