FSDKSh reagon për shkurtimet: Nuk janë “bluza të bardha”

TIRANË, 29 maj/ATSH/ – Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor ka sqaruar përmes një reagimi zyrtar situatën pas shkarkimit të disa punonjësve të FSDKSH,  se kjo e fundit ka ardhur si pasojë se struktura ishte tejet e fryrë dhe këta të fundit nuk janë bluza të bardha.

Në reagim thuhet se në pjesën më të madhe të shkurtimeve kanë qenë ekonomistë.

Me kuadër të ristrukturimit, ish-Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare dhe Kontrollit Spitalor dhe tashmë Drejtoria e Administrimit të Paketave dhe Ekzaminimeve Terciare, nuk do të ketë me në kompetencë të saj kontrollin spitalor, kompetencë kjo që i ka kaluar Drejtorisë Qendrore.

“Pra, sqarojmë se nuk bëhet fjalë për “bluza të bardha” të larguara, por për shkurtime të vendeve të punës në përputhje me objektivat që kjo drejtori do të vazhdojë të ushtrojë.
Fondi vazhdon të mbetet i angazhuar që çdo punonjës që preket nga ky ristrukturim të mos cënohet, si dhe të trajtohet në zbatim të plotë dhe rigoroz të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë dhe akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.
Nga ana tjetër, çdo punonjës deri në datën e përfundimit të marrëdhënieve të punës, duhet të përmbushë detyrimet kontraktore si punëmarrës”, thuhet në njoftimin zyrtar.

z.tosku//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.