FOTO/ Reforma në Drejtësi ka shkaktuar dallgë të mëdha

TIRANË, 29 maj/ATSH/ – Reforma në Drejtësi ishte kryefjala e llogaridhënies në Shushicë të Elbasanit, jo vetëm si përgjigje ndaj shqetësimeve të qytetarëve, por si përgjigje e të gjitha zhurmave që po krijojnë ata që kanë frikë prej saj.

Por Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla tha se reforma në drejtësi nuk do të kursejë askënd, i kujtdo krahu politik qoftë ai.

“Kemi bërë reformën në drejtësi, por ne e dimë që gjithë kjo dallgë ka trazuar Saliun. Por ne kemi bërë një sistem drejtësie që do të ndëshkojë edhe tanët, jo vetëm të tyret, por edhe ndonjërin nga tanët që e ka futur duart atje ku nuk duhet, s’ka për të shpëtuar”, – deklaroi Balla.

Sipas tij, ky ka qenë edhe premtim i dhënë në 2017-n.

“Ne kemi thënë që po bëjmë një sistem, i cili do të marrë vendimin kush ka të drejtë, jo kush paguan më shumë”, – tha Balla.

Ndërsa për ministren e Sipërmarrjes Sonila Qato, Reforma në Drejtësi është një nga arritjet më të mëdha të kësaj qeverie dhe rezultatet e saj kanë filluar të jenë të dukshme tashmë edhe për qytetarët e zakonshëm anë e mbanë Shqipërisë.

“Një ndër arritjet kryesore të qeverisë është Reforma në Drejtësi, përmes procesit të Vetting-ut, i cili po dëshmon përditë se sa i kalbur ka qenë sistemi i drejtësisë. Pa drejtësi ne nuk mund të bëjmë përpara në asnjë fushë, as në biznes, të cilin unë përfaqësoj e që shpesh kjo mungesë drejtësie bëhet pengesë për investitorët e huaj në vend”, vuri në dukje ajo.

Kur përplasemi në dyert e gjykatës apo të drejtësisë, vijoi Qato, të gjithë duhet të marrin shërbimin dhe të jemi të barabartë para ligjit, qoftë investitorë të huaj, apo ju, banorë të Shushicës.

Ndërkohë, hapja e negociatave për Bashkimin Europian, theksoi Qato, është një dëshmi që qeveria shqiptare është duke ecur në rrugë të mbarë, sidomos në këtë reformim.

“Prioritet kryesor është nxitja e punësimit. Brenda vitit të parë synojmë të punësojmë rreth 25 mijë punonjës dhe brenda mandatit t’i kalojmë 220 mijë punonjës, sigurisht nëpërmjet nxitjes së investimeve në çdo fushë”, – deklaroi ministrja

Llogaridhënia në Shushicë të Elbasanit vuri përballë qytetarëve ministren e Shtetit për Sipërmarrjen, kreun e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, zv.ministra, pushtetarë vendorë e drejtorë të drejtorive të përgjithshme.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.