SHBA – Trump – Abe: Denuklearizimi i Koresë së Veriut i domosdoshëm

UASHINGTON, 28 maj /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kryeministri japonez, Shinzo Abe zhvilluan sot një bisedë telefonike, duke theksuar vullnetin e tyre për të parë arsenalin e Phenianit krejtësisht të çmontuar dhe konfirmuan se do të takohen para se të zhvillohet samiti i pritur mes presidentit amerikan dhe Kim Jong Un, sipas Shtëpisë së Bardhë.

“Dy krerët biseduan për zhvillimet e fundit në Korenë e Veriut dhe konfirmuan se do të takohen sërish për të vazhduar koordinimin e tyre të ngushtë para samitit të pritur mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut”, shkruan Shtëpia e Bardhë.

“Presidenti (amerikan) dhe kryeministri (japonez) theksuan nevojën e prbashkët për të arritur çmontimin e plotë dhe të përhershëm të programeve koreanoveriore të armatimit bërthamor, kimik dhe biologjik si dhe të raketave balistike”, thuhet në këtë komunikatë. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.