Kosova e përkushtuar për partneritet politik dhe strategjik me Kroacinë

PRISHTINË, 28 Maj/ATSH/.- Bashkëpunimi politik, fuqizimi bashkëpunimit ekonomik dhe ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Kosovës dhe Kroacisë ishin në qendër të takimit të zhvilluar sot në Prishtinë nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe grupi i Miqësisë së mirë Kosovë-Kroaci, i kryesuar nga Andrija Mikuliq.

‘Kroacia është partner politik dhe strategjik i Kosovës dhe gjithashtu është një shembull i mirë për t’u ndjekur në fushën e integrimeve euroatlantike.”Mbështetja e shtetit kroat është shumë e rëndësishme për fazën në të cilën gjendet Kosova, në rrugën e integrimeve, liberalizimit të vizave, njohjeve të reja, si dhe anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO. Me popullin dhe shtetin kroat na lidhin shumë gjëra të përbashkëta nga e kaluara, por edhe për të ardhmen”, theksoi Haradinaj.

Nga ana tjetër, Andrija Mikuliq, kryesues i ‘Grupi i Miqësisë së Mirë Kosovë – Kroaci’, falënderoi popullin e Kosovës për mbrojtje dhe ndërtimin e shtetit kroat në kohën kur Kroacisë i duhej ndihma e të tjerëve dhe shprehu qëndrimin e palëkundur drejt Kosovës, për rrugën e saj euroatlantike.

Kryeministri Haradinaj nga delegacioni kroat mori mbështetje edhe për përkrahjen e Kosovës në axhendën europiane nga europarlamentarët kroatë.

Në këtë takim ku ishin të pranishëm ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli dhe ambasadorja kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviq u diskutua edhe për mundësinë e organizimit të një forumi ekonomik të përbashkët Kosovë-Kroaci./k.s/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.