BRUKSEL – Mblidhet për herë të parë këshilli NATO-Rusi pas ngjarjes Skripal

187

BRUKSEL, 28 maj /ATSH-AFP/ – NATO-ja do të zhvillojë të enjten takimet e saj të para zyrtare me Rusinë që prej përpjekjes për helmim të një ish-agjenti të dyfishtë të Kremlinit në Britani të Madhe, në një çast që tensionet me Moskën po rriten.

“Një mbledhje e Këshillit NATO-Rusi do të zhvillohet më 31 maj 2018”, njoftoi zëdhënësja e Aleancës, Oana Lungescu.

Kjo mbledhje, e shtata në dy vitet e fundit, do t’i dedikohet konfliktit në Ukrainë, ku Moska akuzohet se mbështet separatistët prorusë në lindje.

“Është e rëndësishme që të flitet me Rusinë”, thekson sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i cili ka dënuar gjithashtu përpjekjet për intimidim dhe ndërhyrje të Rusisë në vendet anëtare të Aleancës.

“Kjo mbledhje do të zhvillohet me dyer të mbyllura”, njoftoi Aleanca. /G.S/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.