Zhvillimi i turizmit në Alpet shqiptare përmes masterplanit të ri

TIRANË, 27 maj/ATSH/- Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuar pas tij, ku padyshim kryesojnë turistët të huaj dhe Aplet shqiptare pjesë e harkut alpin europian janë sot hapësira turistike malore më e rëndësishme.

Pikat turistike Thethi, Boga, Razma, Vermoshi, Lëpusha, Fushëzeza, Valbona, Rragami, Currajt e Epërm, etj, pjesë e Alpeve shqiptare padyshim kanë magjepsur këdo që i ka shëtitur.

Ndaj dhe zhvillimi dhe promovimi i tyre është objektiv i qeverisë shqiptare, e cila ka hartuar një masterplan për ti bërë ato më lehtë të aksesueshme.

Masterplani synon zhvillimin e potencialit turistik të të gjithë rajonit dhe shfrytëzimin e tij në mënyrë të qëndrueshme e në harmoni me natyrën me qëllim që të gjenerohet rritje ekonomike afatgjatë për banorët e zonës dhe pse jo edhe për ekonominë kombëtare.

Me bukurinë e tyre, ndërthurjen në harmoni mes maleve, Alpet shqiptare me të drejtë janë cilësuar nga shumë turistë të huaj ndër më të bukurat në botë.

Por pavarësisht bukurive që këto zona ofrojnë, mungesa e infrastrukturës i bën ato më pak atraktive. Dhe pikërisht për t’i bërë më të aksesueshme këto zona nëpërmjet këtij masterplani përcaktohen ndërhyrjet e nevojshme dhe investimet për rrugë, ujësjellës, shkolla, qendra shëndetësore, infrastrukturë urbane dhe transport publik.

Po ashtu, po punohet për hartimin e strategjie të mirëfilltë marketingu për hartimin e një oferte të larmishme turistike dhe orientimin e investimeve të biznesit, që të maksimizohen vlerat e zonës edhe nga pikëpamja historike e kulturore.

Ndërkohë Banka Botërore dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit po punojnë bashkë për projektin e ri për lidhjen e rrugëve rajonale dhe rurale.

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi një muaj më parë projektin e ri që do të ketë një financim prej 50 milionë dollarësh dhe që parashikon rehabilitimin e 55 km rrugë me qëllim përmirësimin e aksesit në disa qendra bujqësore dhe turistike në vend. Pjesë e këtij projekti është edhe segmenti rrugor Qafë Thore-Theth.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.