Modernizimi i shërbimit, e-kioskat shmangin radhët për qytetarët

TIRANË, 27 maj/ATSH/- Prej gati një jave, qytetarët e Tiranës dhe të zonave përreth nuk presin më në radhë për të marrë një dokument, madje, këto të fundit mund t’i tërheqin edhe në fundjavë.

Njësoj si një bankomat, njësitë administrative të Tiranës ofrojnë shërbimin e-kioskë, i cili të jep mundësinë që në pak minuta të tërheqësh një certifikatë, leje apo aplikosh për një kërkesë në Bashkinë e Tiranës.

Ermir Puka, drejtor pranë Drejtorisë së Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit ka thënë në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se falë e-kioskave të vendosura pranë njësive administrative, qytetarët nuk harxhojnë as kohë as para për të tërhequr një dokument që i duhet.

“E-Kioskat janë risia më e fundit që sjell bashkia e Tiranës në kryeqytet. Nëse do ishim sot në Shën Gjergj dhe do të merrnim parasysh që do kishim nevojë për një aplikim,vërtetim që merret vetëm në bashkinë qendrore atëherë duhet të bënim të gjithë rrugën, të vinim deri këtu, të uleshim, të merrnim një numër  të prisnim në radhë. Të gjitha këto gjëra nuk ndodhin më sot. Ne kemi 10 kioska këto janë në njësinë një, dy, pesë, kemi këtu në bashkinë e Tiranës, në qendër, Vaqarr, Petrele, Baldushk, Bërzhitë, Farkë etj.

Gjithashtu, Puka ka sqaruar se janë të ndryshme llojet e dokumenteve që mund të tërhiqen në këto bankomate elektronikë për të cilën nuk është e nevojshme që qytetarët të paguajnë.

“Mund të drejtohemi tek kioska dhe thjesht duke futur kartën e identitetit , duke ndjekur disa hapa të thjeshtë, pasi identifikohen tërheqin dokumentin sipas kërkesës që kanë”, ka përfunduar ai. Aktualisht, ky shërbim mundëson tërheqjen e 44 dokumenteve dhe kjo bashki renditet e parë që ka futur modernizimin e shërbimeve për qytetarët.

z.tosku/a.fortuzi/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.