“Shqiperiaqeduam.al” zgjidh për 6 ditë problemin e taksave të qytetarit

177

TIRANË, 26 maj/ATSH/ – Platforma e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al është kthyer në një mundësi reale për zgjidhjen e problemeve dhe ankesave të qytetarëve, e cila realizohet brenda një kohe rekord prej 10 ditësh.

Pas shumë problemeve të zgjidhura, konkretisht 1100 prej tyre, kjo platformë kësaj here i ka dhënë zgjidhje problemit të qytetarit Gjovalin Lala, i cili paguante taksat rregullisht por rezultonte debitor.

Pas depozitimit të ankesës së tij pranë portalit të bashkëqeverisjes, shtetasi, Gjovalin Lala ka marr përgjigje dhe zgjidhje të problemit të tij, vetëm brenda 6 ditëve duke i dhenë fund sorollatjes prej më shumë se një viti.

“Quhem Gjovalin Lala dhe prej disa vitesh jam punonjës i sistemim bankar.

Para pak kohësh është konstatuar një problem në lidhje me detyrimet tatimore personale, sepse unë i përkas asaj kategorie që duhet të përgatis deklaratën vjetore të të ardhurave.

Sigurisht e kam përgatitur këtë konform kuadrit ligjor, por në vitin 2015 ndodhi diçka dhe unë dal si debitor dhe këtë gjë e pashë te website i tatimeve tek e-file i im personal.

U interesova dhe komunikova me punonjës të institucionit të tatimeve dhe më thanë që duhet të shikoj sërish kuadrin ligjorë, dhe më pas më orientuan te Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Tiranë.

Shkova atje dhe ju thashë shqetësimin, pasi unë rezultoja debitor, sikur nuk kisha paguar detyrimet e mija tatimore, ndërkohë që detyrimet tatimore nga muaji janar dhe çdo muaj deri në fund të muajit dhjetor 2015 ishin paguar, pasi  siç e thashë edhe më parë unë jam punonjës i sistemit bankar.

Më dhanë listën e dokumentacionit që duhet të përgatisja në mënyrë që të korrektohej ky veprim.

Menjëherë bëra gati dokumentet që kishte të bënte me vërtetimin e pagave dhe tatimeve janar dhjetor 2015, dokumentin e identifikimit si dhe një kërkesë për sistemim veprimi.

I dërgova dhe këto dhe pastaj po prisja përgjigjen.

Kohë pas kohe shkoja te Drejtoria Rajonale e Tatimeve Tiranë, ndërkohë që herë pas here pritesha më mirësjellje nga ana e tyre por nuk kishte veprime konkrete, dhe kjo ishte kosto për mua sepse më duhej të merrja leje pranë institucionit ku punoja.

Në  momentin kur doli dhe u prezantua platforma e bashkëqeverisjes, portali shqiperiaqeduam.al, shkruajta në këtë portal dhe stafi i bashkëqeverisjes veproi menjëherë dhe brenda një periudhe 5-6 ditore u sistemua problemi im pranë institucionit të tatimeve.

Për këtë dua të falënderoj për shërbimin mjaft korrekt, gjithë stafin e bashkëqeverisjes të cilët në kohë rekord u përgjigjën ndaj këtij shqetësimi i cili ishte bërë i vazhdueshëm për një periudhë më shumë se 1 vjeçare,” përfundoi, Gjovalin Shkurtaj.

Për rastin e Gjovalin Lalës nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, u mor masa disiplinore vërejtje me shkrim  2 punonjës të Drejtorisë Rajonale Tatimore tiranë./e.caushi

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.