Riparohet në kohë rekord ura e Moravës pas ankesës së qytetarit

169

TIRANË, 26 Maj/ATSH/.- Ura e Moravës, në Berat u riparua ditët e fundit falë ndërhyrjes së Autoritetit Rrugor Shqiptar, pasi një qytetar iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al.

Gjatë prezantimit të projekteve të reja për qarkun e Beratit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, theksoi se “një qytetar i zakonshëm i këtij qyteti para pesë ditësh kur kalonte në urën e Moravës makina e tij pësoi një aksident, pasi ura ishte e dëmtuar”.

“Ai i shkroi platformës së bashkëqeverisjes dhe para katër ditësh mori këtë përgjigje; “Përshëndetje Albert H, përgjigjes tuaj me numër 26530 është trajtuar në shërbimin e zyrës së bashkëqeverisjes dhe autoriteti rrugor shqiptar do të rregullojë Urën Vajgurore Berat, pasi në vendin e quajtur ura e Moravës ka ndodhur një problem dhe kjo do të rregullohet”, tha Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se “para dy ditësh zotëria më çoi fotografinë e punonjësve të ARRSH-së, që po riparonin urën. Ky është një nga 9 mijë rastet që është trajtuar në platformën e bashkëqeverisjes, një nga ato mijëra raste që dëshmojnë se ajo çfarë kemi premtuar në fushatë elektorale, kur shpalosëm programin qeverisës se do të qeverisim në mënyrë të barabartë për të majtë e të djathë, për çdo qytetar , duke konsumuar mandatin tonë qeverisës në shërbimin e qytetarëve, ne i kemi bërë realitet”.

Duke folur për turizmin në qytetin e Beratit Klosi tha se “Berati ishte i okupuar dje nga turistët edhe kapacitete shtuara nuk i bëjnë më hapësira për kaq shumë turistë që vijnë në vendin. Kjo periudhë nga maji në fund të tetorit është e zakonshme për Beratin. Në pesë vitet e qeverisë Rama për Beratin është bërë shumë”.

“Po punohet me infrastrukturën, nuk mund të vinin kaq shumë turistë kur rruga Lushnjë- Berat ishte ne gjendjen që e la ish-qeverisja. Nuk mund të ketë kaq shumë turistë nëse nuk vazhdojmë të promovojmë përveç vlerave historike dhe traditës, agroturizmin, kulinarinë dhe mikpritjen”, theksoi Klosi.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se “ne do të dëshmojmë se po mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm duke ruajtur vlerat e trashëgimisë kulturore duke treguar haptazi vlerat e bashkëjetesës fetare në qytetin tonë, vitalitetin e njerëzve të kësaj zone, të cilët në cdo pëllmbë të qarkut të Beratit kanë dëshmuar se janë punëtorë, kreativë dhe njerëz që duan një jetë më të mirë”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.