Qeveria investime në një sërë projektesh zhvillimore në Berat

TIRANË, 26 maj/ATSH/- Shqipëria prej disa vitesh po përjeton një rritje të numrit të turistëve në terma dyshifrore si rrjedhojë e shumë projekteve dhe nismave që po zbatohen nga qeveria.

Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku bëri të ditur nga Berati gjatë prezantimit të projekteve që po zbatohen për zhvillimin e këtij qarku ku i pranishëm është edhe kryeministri Edi Rama se vetëm në 3 mujorin e parë të këtij viti, kemi rritje prej 30% të vizitorëve në këto monumente dhe institucione kulturore.

“Falë projekteve që po zbatohen dhe promovimit të bërë, sot kemi rritje të numrit të turistëve në Berat, ku numri i vizitorëve në qendrat turistike dhe institucionet kulturore të këtij qarku llogaritet 74 mijë në kalanë e Beratit, 35 mijë në muzeun e Onufrit, dhe 6500 te muzeu etnografik”, tha Çeku.

Çeku po ashtu theksoi se përgjatë vitit 2017 patëm 40% rritje të numrit të vizitorëve.
Përveç turizmit kulturor e historik, sipas Çekut, Berati ka një potencial të madh të zhvillimit të agroturizmit dhe në këtë kuadër, vuri në dukje ai, po zbatojmë një numër iniciativash për sipërmarrjen.

Për vitin 2018, shtoi ai, në rang vendi janë vënë në dispozicion 2.5 milionë euro për zhvillimin e agro turizmit.

“Konkretisht, ministria e Bujqësisë ofron grant me vlerë prej 150 milionë eurosh për zhvillimin e agro turizmit ndërsa qeveria ka ndërmarrë edhe një sërë lehtësish fiskale pikërisht në këtë sektor”, deklaroi Çeku.

Energjia dhe furnizimi me energji, sipas tij, është një tjetër degë që po shihet me interes dhe janë kryer investime për ndërtimin e linjave të tensionit të ulët në Kuçovë dhe investime në rrjetin e tensionit të mesëm dhe ulët në Berat.

“Të gjitha këto në shërbim të përmirësimit të furnizimit me energji elektrike në zonën turistike”, deklaroi Çeku.

Zëvendësministri po ashtu, bëri të ditur se me prioritet do të trajtojmë edhe rigjenerimin e qendrës historike të Beratit, Mangalemin dhe Goricën, me synim përmirësimin e aksesit dhe rritjen e e numrit të turistëve dhe vizitorëve në këtë qark.

Në këtë kuadër zv.ministri Çeku, përmendi projektet për rigjenerimin e qendrës historike në tërësi, përmes rehabilitimit të kalldrëmeve, rigjenerimin e hapësirave publike dhe të gjelbra, restaurimin e objekteve të rëndësishme, rehabilitimin urban të shëtitores përgjatë lumit Goricë dhe rigjenerimin e ndriçimit urban.

Po ashtu, theksoi ai, po zbatohen projekte për krijimin e një sistemi të integruar të gjelbërimit dhe përmirësimit të sistemit të qarkullimit këmbësor dhe automobilistik që do të nxisin lidhjen organike të qytetit etj.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.