Opozita proteston në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

TIRANË, 26 maj/ATSH-A.Fortuzi/- Opozita zhvilloi sot një protestë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Protestës së thirrur nga PD dhe LSI, i janë bashkuar edhe qytetarë nga rrethet e vendit.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë fjalës së tij para kryeministrisë u shpreh se Shqipëria i ka sytë nga perëndimi. Sipas tij, dielli i shqiptarëve lind në perëndim.

“Ne nuk kërkojmë pushtetin, por kërkojmë një Shqipëri europiane, ku populli sundon. Ne duam ndarjen politikës një herë e mirë nga krimi, korrupsioni dhe e keqja. S’jam këtu për pushtet për vete, s’jam këtu për të qenë mbi ju, por jam këtu për të marrë kurajo e për t’ju dhënë kurajo për të qenë një nga ju, për të qenë bashkë me ju”, tha Basha.

“Ne sot kërkojmë një qeveri që punon për njerëzit. Punon për të ardhmen e tyre. Duhet të çlirohemi nga përpjekja për të gjetur udhëheqës të mëdhenj, që premtojnë bëma të mëdha, që bëjnë profetin, pasi Shqipërisë, i duhet një udhëheqës që i sheh dhe prek problemet e shqiptarëve. Nuk jemi këtu në një luftë për pushtet politik! Ne jemi këtu si një luftë e të mirës kundër të keqes! Ky është thelbi i protestës sonë dhe i betejës sonë të sotme!. Ne jemi këtu për t’i treguar Europës, perëndimit, se qeveria bizantine që synon nuk përfaqëson popullin, aspiratën e shqiptarëve”, tha Basha.

Ai tha se “ne jemi mbledhur në këtë shesh për të qëndruar si europianë përballë qeverisë më antieuropiane që ka sot Europa”.

“Përpjekja jonë nuk është përplasje mes qeverisë dhe opozitës, nuk është luftë për pushtet por përpjekje kundër sundimtarit shkatërruese. Përpjekja jonë është beteje midis të mirës dhe të keqes, atyre që duan drejtësi dhe atyre që e kanë kapur drejtësinë, midis atyre që duan siguri dhe rend dhe atyre që kanë kapur shtetin. Problemi që ka sot Shqipëria është mungesa e demokracisë, është dhunimi i të drejtave të qytetarëve, shteti i kapur nga krimi dhe korrupsioni”, tha Basha.

Sipas Bashës, Shqipëria do të jetë një vend i begatë dhe demokratikë, ku populli do të sundojë.

Pas përfundimit të fjalës së Bashës, protestuesit marshuan drejt “Korpusit” për tu drejtuar më pas për në Sheshin Skëndërbej. Gjatë rrugës ata kanë hedhur tymues në drejtim të kryeministrisë.

Për disa minuta protestuesit qëndruan edhe para godinës së ministrisë së Brendshme ku hodhën gurë dhe tymuese në drejtim të policisë dhe ministrisë.

Pas përpjekjeve të tyre për të çarë kordonin policor që mbronte perimetrin e sigurisë së Ministrisë së Brendshme, ka mbërritur kreu i PD-së duke larguar protestuesit për të iu drejtuar selisë së PD.

E nisur rreth orës 11.00, protesta e thirrur nga opozita pas audiopërgjimit të publikuar nga PD, ku opozita pretendon se vëllai i Ministrit të Brendshëm është i përfshirë në trafik droge, përfundoi rreth orës 13.00.

Policia e Shtetit mori masa për mbarëvajtjen e kësaj proteste, duke kufizuar lëvizjen e automjeteve dhe duke angazhuar një numër të konsiderueshëm punonjës të policisë, FNSH e RENEA për të rendin dhe sigurinë.

Basha pas protestës: Qytetarët i dhanë mesazh të fortë qeverisë

Nga selia që drejton, Basha tha se qytetarët i dhanë një mesazh të fortë Ramës. Sipas tij, revolta popullore për largimin e ministrit të Brendshëm nuk do të ndalet.

“Beteja e sotme është pjesë e përpjekjes dhe aksionit popullor që do të vazhdojë pareshtur deri në çlirimin e Shqipërisë nga qeveria më antieuropiane në Europë. Sot shqiptarët folën, sot foli edhe Europa, nuk ka bisedime për integrim me autokratët e lidhur me krimin, me pushtetarët që kanë kapur drejtësinë për të mbrojtur të afërmit e tyre nga drejtësia e vërtetë”, tha Basha.

Kryemadhi: Shembja e murit të drogës ka filluar e nuk do të ndalet

Pas protestës para kryeministrisë, Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi në një daklaratë për mediat nga selia e partisë deklaroi se shembja e murit të drogës dhe krimit ka filluar dhe nuk do të ndalet.

Ajo kërkoi që njerëzit të mos ndalen dhe të pastrohet ambienti për të integrimin e Shqipërisë në BE.

“Nëpërmjet kësaj dalje publike në emër të të gjithë atyre simpatizantëve dhe mijëra anëtarëve të LSI-së që morën pjesë sot në protestën e organizuar nga opozita. Të falenderoj të gjithë qytetarët që ishin atje por jo vetëm ata. Por edhe të gjithë ata që nuk patën mundësi për të marrë pjesë në protestë. Që e ndoqën nga shtëpitë e tyre apo edhe nga vendet e punës së tyre, të cilët nuk lejoheshin për të marrë pjesë në protestë. Ti falenderoj për besimin forcën dhe kurajon që iu dhanë qindra mijërave protestuesve sot në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Dita e sotme ishte një protestë qytetarë për të treguar dhe njëherë se kjo opozitë është një opozitë e bashkuar , për të treguar dhe njëherë që kjo është një opozitë qytetare e cila gjithmonë e më shumë e afron Shqipërinë me BE”, tha Kryemadhi.

Ajo tha se “Rama duhet ë largohet për t’i dhënë mundësi dhe shans Shqipërisë për të hapur negociatat me Bashkimin Europian. Të largohet për t’i dhënë një shans dhe mundësi Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Atë që Zoti ia ka dhënë me pozicionin e saj gjeografik t’ia japim tashmë si klasë politike shqiptarëve politikisht për të qenë pjesë e BE-së.”.

/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.