Mbështetje financiare për familjet që investojnë në agroturizëm

TIRANË, 26 Maj/ATSH-Maela Marini/ – Agroturizmi është rruga për të dalë nga varfëria në çdo zonë rurale ku mundësitë e tjera janë të kufizuara.

Kështu deklaroi të shtunën nga Berati, Kryeministri Edi Rama, duke inkurajuar çdo nismë që merret për zhvillimin e agroturizmit.

“Kjo ndodh atje ku ka traditë mikpritje, bukuri natyrore dhe një vizion të thjesht, kurajo të mjaftueshme dhe vullnet të madh për t’i transformuar shtëpitë dhe fermën e vogël që sot është thjesht në fermë mbijetese në strukturë mikpritje dhe në bujtinë”, tha Rama.

Ai premtoi se qeveria nuk do t’i lërë vetëm njerëzit në këtë proces. “Ne do të mbështesim të gjitha ato familje që do të kërkojnë mbështetje financiare për të bërë rregullime e zgjerime dhe për të investuar në mikrofermën e tyre duke krijuar një infrastrukturë që sjell njerëz, aty ku zona është e izoluar”, theksoi Rama.

Sipas tij, “një gjë e tillë krijon mundësi zinxhir zhvillimi”.

Rama solli në vëmendje shembullin e Italisë të viteve ’80, apo edhe shembujt e suksesshëm të emigrantëve që kthehen për të investuar në zonat rurale, duke krijuar punë për vete dhe njerëzit rreth e rrotull në fshat.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.