Haradinaj: Angazhim i të gjithëve për zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon

PRISHTINË, 26 Maj/ATSH/.- Në kuadër të Takimit të Europës Juglindore “Love Your Neighbor”, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli morën pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”, që u mbajt në Tiranë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Haradinaj theksoi se “paqja është në zemrat e njerëzve, është në besimin e njerëzve, është në thelb. Në vendin tonë, në Kosovë, jam i bindur se nuk jemi vetëm të përkushtuar për paqe, por jemi të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është të jetosh në paqe dhe pajtim”.

“Për këtë arsye, i trajtoj, jo vetëm me respekt, por edhe me integritet,  kolegët nga të gjitha komunitetet në shtetin tonë, kolegët serbë. Pra, për këtë arsye, mendoj se pyetjet e hapura nga e kaluara duhet të mbyllen, sepse këto përbëjnë rrezik për ne”, tha  Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj përmendi faktin se të gjitha  pyetjet e hapura në rajonin tonë, duke mos u finalizuar, duke mos u arritur një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbinë, janë kërcënim për rajonin tonë, janë rrezik për fëmijët tanë.

Haradinaj shtoi se në Europë janë humbur dy dekada dhe se duhet të angazhohemi të gjithë për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura, në mënyrë që t’i bashkohemi familjes sonë në Bashkimin Europian, aty ku edhe përkasim.

Veseli: Vetëm fqinjësia e mirë dhe respekti i ndërsjelltë sigurojnë paqe në Ballkan

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në fjalën e tij tha se ndihet i nderuar që gjendet në Tiranë për të përçuar mesazhin e paqes, dashurisë dhe respektit për njëri –tjetrin.

Veseli kujtoi takimin e fundit në Kosovë dhe drekën e veçantë buzë lumit Ibër në Mitrovicë, ku janë takuar bashkërisht shqiptarë, serbë dhe përfaqësues ​të komuniteteve të tjera, për të përçuar, siç tha Veseli, mesazhin e përbashkët se atë që e ka krijuar zoti nuk është mirë ta ndajë njeriu.

Ai tha se fqinjësinë e kemi të përbashkët, sikurse jetën.

“Populli im në të kaluarën ka përjetuar gjëra të cilat nuk kanë qenë shumë të lehta. Populli im falë dhe mendon për të ardhmen, mendon për respektin edhe ndaj fqinjëve, mendon edhe për respektin e të gjithë atyre që vuajnë po aq sa ka vuajtur ai vet vetëm dy dekada më herët. Besoj dhe shpresoj që fqinjët tanë do të na respektojnë ne ashtu siç duam t’i respektojmë ne ata, të jetojmë në paqe, me identitetet tona dhe me respekt ndaj njëri-tjetrit. Regjioni ynë ka nevojë për paqe dhe respekt”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Takimi i Europës Juglindore “Love Your Neighbor”, i organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë ka për qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve për të ardhmen e përbashkët. Përveç Kryeministrit të Haradinaj, pjesë e këtij takimi ishin edhe përfaqësues të lartë institucional nga Kosova, Shqipëria, vendet e rajonit, Europa dhe bota./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.