FOTO/Promovim i traditës dhe kulturës arbëreshe

TIRANË, 26 Maj/ATSH/.- “Kur e kthejmë kokën pas në historinë tonë, ju shohim si pjesën më të veçantë të saj”, iu drejtua Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, arbëreshëve në Kozenca, Itali.

I shoqëruar nga homologu i Kosovës, Dardan Gashi dhe Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, në një aktivitet kushtuar traditës arbëreshe, Majko i cilësoi arbëreshët anëtarë të rëndësishëm të familjes së madhe shqiptare.

Në fjalën e tij përshëndetëse Ministri Majko e cilësoi vizitën si një mundësi për t’u njohur më ‘rrënjët tona’.

Në aktivitet u vu theksi tek lidhjet e forta vëllazërore mes arbëreshëve dhe shqiptarëve të Shqipërisë e Kosovës dhe tek nevoja për t’i ruajtur dhe çuar përpara vlerat e përbashkëta.

Në ceremoninë ku ishin të pranishëm përfaqësues të një prej diasporave më të vjetra shqiptare në botë, u ndanë çmime për personalitete dhe institucione që kanë kontribuar në promovimin dhe ruajtjen e pasurisë së rajonit; traditës dhe kulturës arbëreshe.

Pjesë e aktivitetit ishte edhe një grup valltaresh arbëreshe, që interpretuan valle e këngë të njohura shqiptare.

Më vonë, gjatë një takimi me kryetarë të komunave arbëreshe të tilla si; Falkunara, Frasnita e Shën Sofia, e gjithashtu përfaqësues të Institutit të Kulturës së Arbëreshëve të Kalabrisë, palët diskutuan për bashkëpunimin për iniciativa të përbashkëta kulturore.

Majko propozoi firmosjen e një memorandumi bashkëpunimi mes dy Ministrave të Diasporës dhe Institutit Arbëresh dhe gjithashtu caktimin e një datë dedikuar arbëreshëve në parlamentet e Shqipërisë dhe Kosovës, ku do të ketë të ftuar të veçantë nga komuniteti.

Ministri kërkoi koordinim më të madh dhe shkëmbime nxënësish përmes shkollave verore.

Sipas Majkos, do të ishte me interes të caktohej një javë e kulturës arbëreshe në Itali, e cila do të përfshihej në kalendarin vjetor.

Gjatë aktivitetit që do të shërbente si një panair për promovimin e trashëgimisë së çmuar të këtij komunitetit, do të ftoheshin studiues dhe njerëz të artit./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.