9 mijë qytetarë morën zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes

298

TIRANË, 26 maj/ATSH-Maela Marini/ – Ankesat e qytetarëve që kanë marrë zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al kanë shkuar në total në 9 mijë, ndërsa ka pasur raste edhe nga Australia dhe Amerika që kanë marrë zgjidhje.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Berat në kuadër të nismës “Shkolla Ime”, ku një grup nxënësish, mësuesish e prindërish kanë bërë kërkesë në këtë platformë për bibliotekën e shkollës “Babë Dudë Karbunara”.

Rama tha se “janë rreth 1 mijë zgjidhje mesatarisht në muaj dhe në total numri ka shkuar në 9 mijë”.

“Ky numër duhet të rritet pasi ka shumë njerëz që ose nuk e dinë, ose nuk e besojnë, por nuk kushton asnjë gjë ta provojnë”, shtoi Rama.

Ai ritheksoi se për 10 ditë kushdo që ankohet do të marrë përgjigje. “Kemi pasur raste nga Australia dhe nga Amerika për çështje pronësie në hipotekë. Raste konkrete që kanë marrë zgjidhje për 10 ditë. Ne nuk ndikojmë dot vetëm kur janë në proces gjykatash”, tha Rama.

Kryeministri solli si shembull rastin e një qytetari Berati që denoncoi një situatë te Ura e Moravës, ku ishin dëmtuar muret mbrojtëse, që përbënte rrezik për aksident.

“Është e dokumentuar që kishte marrë përgjigje menjëherë që këtë gjë do ta trajtojmë dhe Autoriteti Rrugor ka bërë menjëherë riparimin brenda 3 ditësh nga ankesa. Ka ratse kur ankesa zgjidhet edhe më shpejt”, shtoi Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.