Zhvillimi ekonomik i Kosovës, objektivi kryesor i qeverisë

PRISHTINË, 25 Maj/ATSH/.- Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të ndjekur strategji konservatore të politikës makroekonomike, duke synuar nivelet e ulëta të deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Me ftesë të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë Besim Beqaj, mori pjesë në Dialogun Ekonomik dhe Financiar mes Bashkimit Europian, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, në nivel politik, që është mbajtur në Bruksel. Fokusi i këtij dialogu ishte në temën: “Forcimi i kornizës fiskale si kontribut në konvergjencën ekonomike”.

“Objektivat e Kosovës janë: vazhdimi i investimeve kapitale, racionalizimi i shpenzimeve operative, përmirësimi i efektivitetit të subvencionimit, mobilizimi i të ardhurave përmes zgjerimit të bazës tatimore e jo rritjes së tatimeve, rritja e eksporteve, si dhe zhvillimi ekonomik i vendit”, theksoi ministri Beqaj, siç thuhet në njoftimin për media të MIN-së.

Në fund të dialogut pjesëmarrësit kanë miratuar konkluzionet për secilin vend.

Në konkluzionet e përbashkëta për Kosovën thuhet se “me gjithë koston më të lartë se parashikimi i skemës së pensioneve të veteranëve të sapo futur, Kosova ka ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike” .

Është konstatuar po ashtu se “Kosova vazhdon të ketë borxh publik të ulët, si dhe parashikimet e vitit 2018 për të ardhura më të larta buxhetore mbështeten kryesisht në përmirësimet në mbledhjen e të ardhurave dhe rritjen e aktivitetit ekonomik”.

Kosovës iu rekomanduan veprime në disa fusha të shoqëruara me masa në planifikimin makro-fiskal, në planifikimin e investimeve shumëvjeçare, për të luftuar ekonominë informale, si dhe masa për plotësimin e  futjes së skemës së sigurimeve të përgjithshme shëndetësore. /KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.