Qendra shëndetësore e Vorës dhe Gërdecit, mes qendrave që do t’i nënshtrohen rehabilitimit

229

 TIRANË, 25 maj/ATSH/-Qendra Shëndetësore e Gërdecit dhe ajo e Vorës do të rehabilitohen këtë vit me investimin e buxhetit të shtetit, në kuadër të programit kombëtar të Qeverisë për rehabilitimin e 80 qendrave shëndetësore në të gjithë vendin.

Në ndalesën e radhës në turin e llogaridhënies publike, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale zhvilloi një takim me banorët e Njësisë Administrative Bërxull.

Banorët ngritën problemet e ujit të pijshëm, rrugëve dytësore, qendrave shëndetësore të zonës dhe legalizimin e banesave.

Ministrja Manastirliu deklaroi se vetëm në Qarkun e Tiranës këtë vit do të rikonstruktohen 14 qendra shëndetësore, mes të cilave për këtë zonë do të investohet në qendrën shëndetësore të Vorës dhe ambulancën e Gërdecit.

“Si asnjëherë më parë investojmë për fuqizimin e kujdesit Parësor. Kemi nisur programin kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore në këtë mandat. Vetëm për vitin 2018 do të rehabilitojmë 80 qendra shëndetësore nga veriu në jug të vendit”.

Ministrja e Shëndetësisë ftoi banorët t’I drejtohen platformës së bashkëqeverisjes Shqiperiaqeduam.al për çdo shqetësim për të cilin nuk kanë gjetur zgjidhje në dyert e Bashkisë Vorë apo për të cilin I kanë sorollatur punonjësit apo drejtorët në zyrat e shtetit.

z.tosku/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.