Pensionet, Rama: Skemë e bazuar në kontribute

TIRANË, 25 maj/ATSH/ – Skema e re e pensioneve i jep mundësi çdo qytetari që të paguhet mbi bazën e kontributeve.

Kryeministri Edi Rama, duke folur nga Kuçova për skemën e re të pensioneve që u vu në zbatim nga qeveria e drejtuar prej tij, tha se kemi ndërtuar tani skemën që është e bazuar në kontribute.

Por, sipas kreut të qeverisë, problemi vetëm i kësaj skeme skeme është se personat që kanë dalë në pension para nisjes së zbatimit të kësaj skeme nuk mund të përfitojnë prej sajë.

“Ata që dalin në pension pas reformës mund të marrin pensione shumë më të larta deri në 36 mijë lekë, ndërsa ata që kanë dalë në pension para reformës është shumë e vështirë që për ta të bëhet rritje e konsiderueshme”, shpjegoi Rama.

Sipas tij, rritje në përgjithësi të pensioneve do të ketë në momentin kur të kemi më shumë të ardhura.

“Nëse vazhdojmë me këtë nivel me këtë progresion rritjeje dhe nëse ne arrijmë aty ku jemi zotuar të arrijmë në nivelin e 5% të rritjes ekonomike, që është moment kur rritja fillon e bëhet e ndjeshme për të gjithë shtresat, atëherë do të mund të bëjmë rritje të konsiderueshme të pensioneve”, theksoi kryeministri.

Rritja e synuar prej 5% përmes së cilës shkojmë në rritjen e pensioneve sipas kryeministrit Rama, mbështetet në investimet e parashikuara në infrastrukturë, një sërë investimesh të rëndësishme private që presim, si dhe duke marrë në konsideratë edhe rritjen e turizmit.

/a.gjonaj//e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.