Kosova hap Konsullatën e Nderit në Nessebar-Burgas

127

PRISHTINË, 25 Maj/ATSH/.- Në kuadër të shtrirjes së përfaqësimit diplomatik, Republika e Kosovës, për herë të parë që nga hapja e misionit diplomatik të saj në Republikën e Bullgarisë, ka përuruar Konsullatën e Nderit në qytetin antik të Nessebar në rajonin e Burgasit, një vend turistik i mbrojtur nga UNESCO në brigjet e Detit të Zi.

Ky hap u konkretizua pas aprovimit të kandidaturës nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë për afaristin e njohur bullgar, Plamen Kopchev, si propozim i Ambasadës së Kosovës në Sofje.

Në ceremoninë e hapjes së Konsullatës së Nderit në Nesseber, ambasadori Shpend Kallaba tha se “Kopchev në cilësinë e Konsullit të Nderit do të luajë rol në forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve, promovimin ekonomik dhe kulturor, si dhe një prezencë më të madhe të vendit tonë në shtetin bullgar”.

“Kopchev vjen nga qyteti i Nessabar, rajoni i Burgasit dhe është një prej investitorëve të mëdhenj në industrinë e turizmit në rajonin e Burgasit, Veliko Ternoves dhe Borovecit. Nuk është rastësi qe Kopchev është emëruar si konsull nderi, pasi epitetin e tij të nderit ai e ka konfirmuar gjatë gjithë këtyre viteve”, njofton MPJ.

Sipas njoftimit, Konsullata e Nderit në Nesebar, do të jetë një adresë më shumë për të gjithë ata shkencëtarë, afaristë, sportistë të rajonit të Detit të Zi, të cilët janë të interesuar për bashkëpunim kulturor, ekonomik dhe tregtar ndërmjet  të dyja vendeve.

Në fjalën e tij pas marrjes së detyrës si konsull nderi, Kpchev theksoi se “jam i bindur se Konsullata e nderit e Kosovës në Nessebar do të jetë një vlerë shtesë në marrëdhëniet mes dy vendeve tona mike”.

Qyteti antik i Nessebar daton në listën e mbrojtjes së UNESCO-s nga viti 1984, si dhe vizitohet gjatë sezonit veror nga 40.000 turistë brenda ditës, duke mbajtur vendin e parë n si destinacion kulturor e historik në Bullgari dhe më gjerë. /KosovaPress/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.