KINË – Pekini kërkon “vullnet të mirë” pas anulimit të samitit Trump-Kim

PEKIN, 25 maj /ATSH-AFP/ – Kina i kërkoi sot Koresë së Veriut dhe SHBA-së të tregojnë “vullnet të mirë” dhe “durim” pas anulimit të samitit që ishte parashikuar mes Donald Trump dhe Kim Jong Un.

“Qetësimi i fundit në Gadishullin Korean ka qenë i vështirë dhe procesi për zgjidhje politike mbetet përballë një mundësie të rrallë historike”, theksoi për shtypin zëdhënësi i diplomacisë kineze, Lu Kang.

“Kina, aleati kryesor i regjimit koreano-verior, përshëndeti faktin se dy palët janë shprehur të hapura për dialog pavarësisht anulimit të samitit historik që do të zhvillohej më 12 qershor në Singapor”, nënvizoi zëdhënësi.

“Në rrethanat e tanishme, shpresojmë që ashtu si Koreja e Veriut dhe SHBA-ja do të ruajnë progreset e fundit të arritura, do të japin prova të durimit, vullnetit të mirë, do të avancojnë në të njëjtin drejtim dhe do të mbeten të angazhuara në mbështetje të denuklearizimit të gadishullit”, deklaroi Lu.

Kina ka aplikuar këto vitet e fundit sanksionet ndërkombëtare që parashikojnë të bindin Pheniani të heqë dorë nga arsenali bërthamor duke dënuar çdo kërcënim ushtarak të SHBA-së./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.