Eksporti i energjisë elektrike u gjashtëfishua në tremujorin e parë 2018

TIRANË, 25 maj /ATSH/-Rritja e prodhimit të energjisë elektrike, në tremujorin e parë të vitit 2018, ka ndikuar në rritjen e eksporteve bruto të energjisë elektrike (energji në dhënie) me rreth 6,3 herë dhe uljen e importeve bruto të energjisë elektrike (energji në marrje) me rreth 5,4 herë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë

INSTAT bën të ditur se, gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 5,2 %.
Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë pothuajse u dyfishua, duke arritur vlerën 3.213 GWh nga 1.588 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2017.

Investimet private në vepra hidrike, rritën prodhimin vendas të energjisë

Rrrtja e prodhimit të energjisë elektrike u realizua nga hidrocentralet publike në masën 65,0 % dhe nga hidrocentralet private dhe koncensionare që realizuan 35,0 % të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Sipas INSTAT, hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2018, realizuan 2.087 GWh nga 1.068 GWh të realizuar në tremujorin e parë të vitit 2017, duke shënuan kështu një rritje të prodhimit me rreth 2 herë.
Ndërsa, hidrocentralet private dhe koncensionare, realizuan 1.126 GWh nga 520 GWh të realizuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuan një rritje të prodhimit të energjisë elektrike me rreth 2,2 herë.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) në tremujorin e parë të vitit 2018, rezultoi me ulje duke arritur vlerën 114 GWh nga 621 GWh në tremujorin e parë të vitit 2017.

Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) në tremujorin e parë të vitit 2018, rezultoi me rritje duke arritur vlerën 1.205 GWh nga 190 GWh në tremujorin e parë të vitit 2017. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.