Rama: Me hapjen e negociatave, merr fund pandëshkueshmëria

TIRANË, 24 maj/ATSH/- Qëndrimin e opozitës në seancën e sotme plenare, e cila bllokoi foltoren dhe nuk mori pjesë në miratimin e rezolutës për çeljen e negociatave, kryeministri Edi Rama e ka lidhur me frikën ndaj reformës në drejtësi që po zbatohet suksesshëm në vend.

Sipas kryeministrit, qëndrimi i opozitës nuk lidhet thjeshtë me ambicien e saj për të marrë pushtetin, sepse tha ai, ambicia e verbër për t’u rikthyer në pushtet nuk mjafton.

“Është vështirë të thuash se kjo është e ska tjetër. Mund të jetë, por pjesërisht. Pasi nuk mund të jetë ky motivi, kur ende pa u mbushur një vit nga zgjedhjet, një forcë e tërë politike alternative, të transformohet në një fuqi që gjakon për shkatërrimin e një segmenti rrugë që është rruga e shqiptarëve, nuk është e Partisë Socialiste, apo e një pjese, por e të gjithë shqiptarëve”, tha Rama.

Çelja e negociatave, për kryeministrin Rama, janë një problem shumë i madh për opozitën, jo thjeshtë për arsyen se, duke u çelur negociatat qeveria apo shumica jonë do të marrë një energji të re besimi e mbështetjeje.

“Por, duke u çelur negociatat, mbaron përfundimisht historia e pandëshkueshmërisë. Vendi kalon nga një fazë ku mjaftonte të bënte ndryshimin e Kushtetutës, arkitekturës së sistemit të drejtësisë, ligjeve që garantojnë pastrimin e sistemit të drejtësisë, në një fazë ku vendi duhet të tregojë se prokuroria e gjykata janë të pastruara nga vetting-u e funksionojnë si një pushtet që nuk i ndan njerëzit në të fortë e të dobët, të pasur e të varfër, të pushtetshëm apo të pazëshëm, por si një pushtet ku gjithkush që ka shkelur ligjin, ka kryer akte në dëm të interesave publike, që ka prekur pasurinë e shqiptarëve ndëshkohet”, theksoi kreu i ekzekutivit.

Ky, vijoi kryeministri, është themeli i gjithë kësaj përpjekjeje prej barbarësh në mes të Europës, në kulmin e këtyre përpjekjeve që janë strategjike edhe për arsyen se ky vit është themelor në këtë Europë që lëkundet nga presioni i forcave dhe grupimeve që janë kundër saj .

“Vitin e ardhshëm janë zgjedhjet në Parlamentin Europian dhe askush nuk mund ta thotë se sa shumë do të ndryshojë për keq në drejtimin që na intereson ne. ndryshon Komisioni Europian dhe askush nuk di ta thotë se çfarë Komisioni Europian do të ketë dhe se sa do të jetë i ardhshmi i prirur që të vazhdojë punën e Komisionit të sotëm që është tërësisht por europianist dhe historia e negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë mund të shtyhet në pafundësi”, theksoi kryeministri.

Ndaj shtoi Rama, midis vrasjes së kësaj ëndrre, varrosjes së kësaj shprese dhe rritjes së mëtejshme të pasigurisë së më të rinjve lidhur me çfarë vendi do të jetojnë nesër në Europë apo një vend jashtë Europës dhe frikës së tyre nga drejtësia dhe ambicies së tyre të verbër për pushtet dhe shurdhërisë së tyre për të dëgjuar zërin e arsyes kombëtare, këta, sipas kryeministrit, zgjedhin frikën, ambicien e verbër dhe shurdhërinë ndaj zërit të arsyes kombëtare.

“Unë kam shumë besim që në fund Shqipëria dhe shqiptarët do t’ia dalin në fund të qershorit. Është shumë e vështirë sepse nuk ka lidhje em Shqipërinë dhe atë që kemi bërë apo lënë pa bërë ne. Në samitin e Sofjes ishte më se e qartë se nuk vihet në diskutim se sa shumë përpjekje e rezultate ka arritur Shqipëria dhe sa përpjekje titanike po bën Maqedonia që i kërkohet të ndryshojë emrin e vendit e emrin me të cilin thirren, ashtu sikundër askush nuk vë në diskutim se Shqipëria është shumë më përpara në prag të hapjes së negociatave se sa çdo vend tjetër në pragun e hapjes së negociatave”, nënvizoi kreu i qeverisë.

/a.gjonaj/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.