Opozita braktis Kuvendin për herë të parë kur bëhet fjalë për rezolutë kombëtare

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155830479256523/

TIRANË, 24 maj/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi të enjten se mos miratimi i rezolutës mbi gjetjet dhe rekomandimet e raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë 2018, nga ana e Partisë Demokratike është një akt i pashembullt pabesie historike ndaj vendit e popullit.

Gjatë seancës plenare, e cila u ndërpre disa herë për shkak të bllokimi të foltores nga ana e deputetëve të Partisë Demokratike, Rama bëri të ditur se sot është hera e parë në historikun e parlamentarizmit shqiptar që një parti braktis sallën e Kuvendit kur bëhet fjalë për një rezolutë me interes kombëtar të kësaj natyre.

Rama solli në vëmendje kohën kur PS ishte në opozitë dhe bojkotoi Kuvendin por grupi parlamentar i PS erdhi në Kuvend, kontribuoi në hartimin e rezolutës për t’u anëtarësuar në NATO dhe votoi në unanimitet me PD në atë kohë në qeveri.

“Ne u kritikuam nga shumë kush sepse nuk e kthyem atë moment tragjik në një mjet politik për të cenuar një proces që ishte drejt finalizimit të vet, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Sot kur jemi në metrat e fundit të një rrugë shumë të gjatë dhe kur parlamenti ka detyrën të bëjë përpjekjen e vet për të votuar një rezolutë që nuk është e një anshme, por shprehje e vullnetit të shqiptarëve, ndodh ajo që s’ka ndodhur kurrë. PD, bën atë që se ka bërë kurrë as vet ajo, kur në të shkuarën e largët ka qenë në opozitë dhe situata ka qenë shumë e ngarkuar politikisht, ikën nga salla dhe refuzojnë të miratojnë rezolutën që përbën një akt vullneti të Parlamentit për t’u bërë me dije vendeve anëtare të BE-së se parlamenti i Shqipërisë në unanimitet kërkon çeljen e negociatave”, deklaroi kryeministri Rama.

Kryeministri vuri në dukje se “kjo rezolutë, nga një shprehje e vullnetit të mirë, duke u votuar vetëm nga ne, kthehet në një tjetër problem në përpjekjen tonë, sepse është e njëanshme dhe cilido në korridoret e parlamenteve europiane, që është kundër çeljes së negociatave me Shqipërinë apo Maqedoninë, sepse është kundër vizionit të zgjerimit të Bashkimit Europian, mund ta përdorë këtë rezolutë si një arsye më shumë për të trokitur nëpër dyert e atyre korridoreve dhe për t’u thënë të tjerëve se Parlamenti i Shqipërisë nuk është unanim për çeljen e negociatave, pasi kemi një rezolutë të përbërë vetëm nga shumica qeverisëse dhe opozita nuk ka marrë pjesë dhe nuk ka votuar”.

“Në Berlin, Paris, Hagë apo kudo tjetër, këta lloj individësh nuk lenë argument pa shfrytëzuar, por të tjerët nuk mund t’i bëjmë me faj që s’kanë kohë të hyjnë më thellë për të kuptuar si qëndron e vërteta dhe kështu i gjithë procesi i përpjekjes sonë shumë të vështirë për të bindur të gjithë që në fund të qershorit të na japin shoqërohet nga një proces po nga Shqipëria për t’i bindur të mos i japin Shqipërisë atë që meriton”, u shpreh kreu i qeverisë.

Absolutisht, vijoi kryeministri, të gjithë ata që merren me Shqipërinë edhe ata që janë në pozicion kundërshtues e kanë të vështirë të kuptojnë se si ka mundësi që Shqipëria, është i vetmi vend në të gjithë historinë e procesit të integrimit që kur ra perandoria komuniste nuk ka konsensus dhe nuk ka unitet kombëtar në komunikimin me të huajt, por ka një opozitë që nuk lë gurë pa lëvizur për ta shkatërruar këtë proces.

Kreu i Ekzekutivit theksoi se edhe në Maqedoni ka debate të brendshme mes qeverisë e opozitës, por as dje e as sot, nuk janë pjesë e diçkaje sado pak të ngjashme me këtë që ndodh këtu.

Sipas Ramës, jeta politike në Bullgari është jashtëzakonisht konfliktuale, por që kur filloi përgatitja për presidencën bullgare shumica dhe opozita u bën bashkë e u ulën dhe formuluan programin e presidencës bullgare, sepse brenda kufijve është familja e madhe e një populli ku si çdo familje, ka mendime të ndryshme, por jashtë kufijve, populli është një, flamuri është një.

“Nuk shkohet në asnjë vend, sapo kapërcen kufirin me flamurin e partisë në dorë, është vetëm një flamur ai i Shqipërisë, i vendit. Kur kapërcen kufirin nuk je më socialist as demokrat i vendit tënd, je shqiptar që përfaqëson vendin tënd, Ata që të shikojnë, dëgjojnë e flasin, të flasin si përfaqësues i një vendi që po kërkon të hedhë një hap historik për t’u afruar me një familje vendesh”, deklaroi kryeministri.

Rama tha ndër të tjera se vendi ynë ndryshe nga shumë vende të tjera e ka një bekim në këtë rrugëtim, pasi është i vetmi vend ku nuk ka një force të strukturuar anti europiane sikundër nuk ka asnjë parti komuniste, sepse në këtë vend mysliman apo të krishterë, nëse kanë një mijë e një sebepe për të qene të ndarë, kanë një mendim të njëjtë, qëndrim, shpresë e ëndërr të njëjtë, të jenë pjesë e familjes europiane.

“Dhe thyerja brutale e kësaj pasqyre shpirtërore të një populli të tërë për qëllime e arsye që s’kanë lidhje me interesat kombëtare, me interesat e një populli të tërë, e as atyre që nuk duan të shikojnë partinë Socialiste e qeverinë me sy, që kanë votuar apo votojnë për PD, është një akt i pashembullt pabesie historike ndaj këtij vendi e këtij populli. Nuk ka një të dytë. Individë aktesh të pashembullta pabesie e tradhtie në histori Shqipëria ka pasur plot, por një forcë e tërë, e organizuar dhe e votuar që sillen si të ishte jo partia Demokratike e Shqipërisë që lindi me thirrjen e duam Shqipërinë si gjithë Europa po si të ishte një forcë që për program ka testamentin e Esat Pashës, kjo është e pabesueshme”, u shpreh Rama.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.