Botërori 2026, FSHF pret delegacionin e SHBA-së, Meksikës dhe Kanadasë

TIRANE, 24 maj/ATSH/- Presidenti i FSHF-së, Armand Duka priti sot një delegacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika, të cilat së bashku përfaqësojnë edhe kandidaturën e tyre të shpallur tashmë zyrtare për organizimin e Botërorit të vitit 2026.

Ky delegacion ishte i përbërë nga Steve Reed, President i Federatës Kanadeze të Futbollit dhe njëherësh bashkëkryetar i Komitetit Organizator për kandidaturën e Kupës së Botës 2026, Brian Remedi, Shef i zyrës administrative në Federatën Amerikane, nga zonja Sandra Gage, Shefe e Zyrës së Marketingut në Federatën Kanadeze, si edhe nga Inigo Riestra, Drejtor për Marrëdhëniet me Jashtë në Federatën Meksikane të Futbollit.

Duke falenderuar Presidentin Duka për këtë vizitë, Steve Reed, bashkëkryetar i Komisionit për Kandidaturën e përbashkët për Botërorin e vitit 2026 theksoi se tashmë të tre vendet janë gati për një event të tillë, duke qenë shumë më të fortë në këtë bashkim:

SHBA, Kanadaja dhe Meksika janë tashmë së bashku me të fortë se kurrë për të marrë organizimin e finaleve të Botërorit të vitit 2026. Jemi plotësisht gati për një event të tillë dhe jemi koshient që është një nder shumë i madh, dhe po ashtu, edhe një përgjegjësi e madhe në organizimin e një eventi të tillë botëror. Të tre vendet janë një bashkim shumë i madh edhe në afrimin e njerëzve dhe tifozëve me futbollin”.

Pas një prezantimi të shkurtër nga ana e delegacionit për kandidaturën e përbashkët, Armand Duka theksoi se “jam njohur edhe me projektin tuaj si kandidaturë për organizimin e Botërorit të vitit 2026. Natyrisht tre vende, të përfaqësuar me kandidaturën e tyre të vetme është një dicka shumë e mirë. Kam takuar ditë më parë edhe një delegacion nga Maroku, ku edhe ata janë kandidatë zyrtarë. Natyrisht zhvillimi i Botërorit në tre shtete së bashku, SHBA, Kanada e Meksikë është një diçka shumë e bukur për tifozët, pasi do të shohin tre vende, do të njihen me tre kultura, dhe tre eksperienca të ndryshme. Nëse kandidatura juaj e përbashkët fiton, uroj dhe uroni të jetë edhe Shqipëria në atë Botëror. Eshtë e vështirë, por jo e pamundur. Ne jemi kualifikuar vetëm në një fazë finale Europiani, atë të Francës”.

“Ajo që do të thoja, është fakti që, tifozët tanë dhe jo vetëm do ta kenë shumë të vështirë të jenë atje, për çështjen e pajisjes me vizë, do të jetë apo nuk do të jetë Shqipëria, ku uroj shumë të jetë. Mendoj se kjo kërkon një trajtim tjetër nga ana juaj për një problem të tillë, në mënyrë që tifozët të jenë atje, të ndjekin futbollin, të ndjekin këto ndeshje, të njihen me kulturat dhe eksperiencat e të tre vendeve. Natyrisht, format mund të jenë të ndryshme, për të gjithë ata që do të kenë një biletë për ndeshjet e këtij eventi, në rast se kandidatura juaj e përbashkët do të shpallet fituese. Çdo vendim që do të marrë FIFA për këtë event mendoj që do të jetë i drejtë dhe në të mirë të futbollit”, theksoi Presidenti Duka për delegacionin nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika, të cilët e mirëpritën me shumë dashamirësi një sugjerim të tillë, në mbështetje dhe ndihmë të tifozëve, duke garantuar edhe ndjekjen e një procesi të tillë në vijimësi.

Takime të tilla bashkëpunuese do të vijojnë mes federatave përkatëse edhe në të ardhmen.  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.