Audio-përgjimi tallje e madhe

TIRANE, 24 Maj/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se Agron Xhafaj nuk është pjesë e audio-përgjimit të publikuar nga PD, ku demokratët pretendojnë se aty është zëri i vëllait të ministrit të Brendshëm, si i implikuar në trafikun e drogës.

Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, Rama  tha se audio-përgjimi I publikuar nga PD do t’i nënshtrohet një ekspertize nga laboratorë shkencorë ndërkombëtarë, ndërsa shtoi se përgjigjja do të jetë një tallje e madhe për PD.

“Fatmirësisht në fatkeqësinë e vet,  historia e audio përgjimit ka një fund të qartë dhe të padiskutueshëm nga askush sepse nuk bëhet fjalë për opinion por për një fakt dhe prove konkrete që o është autentike ose e fabrikuar. Dhe këtë nuk ka nevojë ta thotë askush këtu në Shqipëri”, tha Rama.

Ai shtoi më tej se “ unë e di rezultatin sepse e kam kërkuar që atë ditë që të mësoj rezultatin por ajo që thuhet se ky e thotë këtë që prokuroria e kapur prej këtij, të thotë këtë, është qesharake sepse prokurori nuk do të thotë asgjë, thjeshtë duhet ta çojë atë material në një laborator shkencor të kujtdo vendi partner me Shqipërinë, ti bëjë analizën shkencore. Dhe këtu nuk është çështja e opinionit, është me barrë apo duket si me barrë apo ka brenda jastëk. Këtu është çështje analize shkencore në një laborator shkencor që do të thotë është, nuk është”.

“Unë që ju kam thënë publikisht që kjo është një histori banale dhe audio përgjimi është pa lidhje fare me personin e akuzuar, po ju them se historia pas audio përgjimit është akoma më e hatashme, çfarë shikoni janë vetëm aktorë, luajnë rolin”, tha Kryeministri.

Më tej, kryeministri nënvizoi se “kam shumë shpresë se do të dalin nga hetimi skenaristët, regjisorët dhe producentët. Këta janë aktorët, ai ditëziu i rrugëve të Vlorës është si ata figurantët e filmave të neorealizmit italian,  ça ti thuash thotë por mbrapa, historia është shumë herë më serioze se sa duket”.

Sidoqoftë, shtoi Rama, se si është historia, duhet t’ia lëmë prokurorisë,ajo që na duhet është që të vijë përgjigja e analizës shkencore në një laborator shkencor të cilitdo vend partner me Shqipërinë.

“I bëj një pyetje shumë të thjeshtë të gjithë atyre, që hedhin akuza se ju doli që vëllai i ministri qenka trafikant droge: Çfarë do mendoni për veten tuaj, kur këtë që unë them, kur të mësoni se bëhet fjalë për një tallje të madhe me të gjithë ju. një tallje e madhe që synon destabilizimin e vendit.  Si do ju duket vetja pasi të dilni në protestë, kur të mësoni se keni dalë në protestë njëlloj siç shkohet në kinema, për të marrë dhe duartrokitur një film për të mbushur sallën e kinemasë, si do ju duket vetja. Zgjedhja është e lirë, secili bën atë që do. Fatmirësisht koha kur shkojmë në protest dhe nuk ktheheshe në shtëpi por ktheheshe në morgun e spitalit në Tiranë ka vdekur. Po pyetja këtu nuk është protesta por tallja, tallja e madhe. Mendojeni një herë këtë që po ju them që mos të ju duket vetja të keqpërdorur me paralajmërim sepse ky paralajmërim që kjo është tallje që video-përgjimi është i fabrikuar si një video-përgjim i dikujt që nuk është fare aty. Dhe që kjo e gjitha kjo bëhet për të shkatërruar në metrat e fundit rrugën për çeljen e negociatave”, tha Rama.

Ai shtoi se kush nuk i do negociata, apo çdo shqiptarë që nuk i do negociatat duhet të iki në protestë dhe të rrijë aty deri sa të ia arrijë qëllimit që negociatat të mos happen. “Kush i do negociatat duhet ta dijë që me apo pa dashje shkon aty për të kontribuar për këtë të fundit”, përfundoi kryeministri.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.