Meta në forumin e biznesit Maltë – Shqipëri, interes për bashkëpunim mes dy vendeve

TIRANË, 23 maj/ATSH/ – Në vijim të vizitës dyditore në Maltë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në ditën e dytë e Forumit të Biznesit Maltë-Shqipëri, prezantoi potencialin e zhvillimit dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Duke sjellë në vëmendje zhvillimet politike, Meta foli edhe për oportunitetet e investimeve për biznesin maltez në Shqipëri. Presidenti i Republikës theksoi se nga historia e suksesit e “modelit ekonomik” të Maltës, Shqipëria mund të nxjerrë leksionet e duhura për të fuqizuar sektorët më vital për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, siç janë turizmi, agro-industria, shërbimet financiare, ICT, etj.

Nga ana tjetër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Gozos, shfaqi interes të madh në shkëmbimin e eksperiencave me përfaqësuesit e komunitetit biznesit shqiptar dhe eksplorimin e projekteve të biznesit në tregun shqiptar dhe atë rajonal.

Forumin e Biznesit e përshëndetën dhe Ministri maltez i Ekonomisë dhe Biznesit e Vogël, Cardona dhe Ministrja për Gozon, Caruana, të cilët vlerësuan Forumin si platformën e duhur për të njohur më mirë potencialet tona ekonomike dhe për të krijuar sinergjinë e nevojshme mes biznesit maltez dhe atij shqiptar për investimet e ndërsjellta.

Në përfundim të Forumit u nënshkrua një Marrëveshje Bashkëpunimi mes Presidentit të Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës,  Nikolin Jaka dhe Presidentit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Gozos, Joseph Grech.

Gjithashtu, gjatë punimeve të Forumit, Meta zhvilloi takime edhe me rektorin e Universitetit të Maltës, Prof. Alfred. J. Vella dhe me Drejtuesit Ekzekutiv të Air-Malta, me fokus bashkëpunimin ne fushën e arsimit. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Air-Malta shprehën interes për të vlerësuar mundësinë e vendosjes së linjës direkte mes Maltës dhe Shqipërisë.

“Ashtu sikurse kemi rënë dakord për të punuar dhe për realizimin e një marrëveshjeje për punësimin sezonal të të rinjve shqiptarë në Maltë, pasi Malta është në kërkim të një fuqie punëtore të re për shkak të rritjes ekonomike mjaft impresionuese që ajo po përjeton, por njëkohësisht këta të rinj përveç mundësisë për t’u punësuar në mënyrë sezonale do të kenë edhe mundësinë për të fituar eksperienca mjaft pozitive që do t’u shërbejnë për të ardhmen në vendin tonë”, tha Meta.

Ndërsa, Presidentja e Maltës, Marie-Louise Coleiro Preca, nga ana e saj  theksoi se “kjo vizitë e dytë e Presidentit të Shqipërisë është shumë e rëndësishme, por më e rëndësishëm është fakti se ne jemi duke ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyera politike, diplomatike mes dy vendeve, duke i transformuar ato në bashkëpunime dypalëshe për zhvillimin social dhe ekonomik të dy vendeve tona”./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.