FOTO/Mozaikët e fshehur të Butrintit, tani të prekshëm dhe për publikun

TIRANË, 23 maj /A.ALLA ATSH/ – Shqipëria zotëron shumë site arkeologjike, të pasura me mozaikë. Disa prej këtyre mozaikëve janë bërë objekt studimi dhe restaurimi ndër vite, të tjerë mozaikë presin të studiohen, restaurohen si dhe dokumentohen nëpërmjet publikimeve shkencore.

Për këtë arsye, specialistët e mozaikëve, Agron Islami dhe Marie-Patricia Raynaud sollën sot vëllimin e parë të serisë “Korpusi i mozaikëve të Shqipërisë”, një botim i çmuar, i cili i dedikohet mozaikëve në Qytetin Antik të Butrintit, që u pubikua për publikun në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Publikimi “Korpusi i mozaikëve të Shqipërisë” është një seri vëllimesh të cilat pasqyrojnë rezultatet e punës disa-vjeçare të hulumtimit në terren të dyshemeve me mozaik (mozaikë, opus sectile dhe veshje me pllaka ose plloça) në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Botimi përmban një format të madh ku përfshihen planimetri të lexueshme dhe dokumentacion fotografik i shfrytëzueshëm me ngjyra. Publikimi pasqyron një inventar të detajuar të të gjithë mozaikëve në Butrint të dokumentuara sipas fishave të dedikuara për këtë tipologji.

Ky është një nga botimet e para që ndodh në këtë fushë,me të cilin kurorëzohen 5 vite punë, të stafit të ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me ambasadën franceze dhe ekspertët francez. Këto specialistë kanë vite që punojnë dhe studiojnë në terren duke sjellë një punë të denjë kërkimore dhe me shumë vlerë të këtyre mozaikëve.

Ministria e Kulturës, Mirela Kumbaro e pranishme në këtë aktivitet u shpreh se ”kjo është një iniciativë të cilën e kam ndjekur me shumë interes dhe me një lloj pasioni që unë ndjejë për trashëgiminë kulturore”.

Ajo theksoi se ”trashëgima kulturore jo vetëm plazhi dhe bukuritë natyrore por fustanellat,ngjyrat e mozaikëve dhe informacionet që po merr shoqëria shqiptare për këto vlera që ne i kemi e shoh si një potencial të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, por dhe si një punë të intensifikuar të të gjithë institucioneve të trashëgimisë kulturore”.

Ministrja u shpreh se ”kjo punë të cilën po e pasqyrojmë sot nuk ishte fare e lehtë pasi para 5 vitesh ne nuk u gjet një inventar të pasurive kulturore në vend. Sot që flasim terma si (KKA) Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë ,KKR (Këshilli Kombëtar i Restaurimeve) janë bërë të njohura dhe për publikun e thjeshtë të cilët kanë interes për këtë pjesë. Kjo vjen për fakti se këto institucione punën e tyre e kanë bërë publike ,duke e botuar ose online punë e cila është pasqyruar që nga janari i vitit 2014”, tha Kumbaro.

”Gjithashtu ky botim tregon dhe një herë një punë kolosale siç është inventarizimi i pasurive kulturore i cili mungonte që prej viteve 80′.Kjo punë është bërë fal bashkëpunimeve dhe me partnerët e huaj si në rastin e sotëm”, shtoi më tej ministrja e Kulturës.

Në fund ajo tha se ”çdo moment që ne promovojmë një punim ose një studim që ka të bëj me një fushë specifike të trashëgimisë kulturore si në rastin e mozaikëve dhe të këtij botimi është jo vetë një promovim i trashëgimisë kulturore por është një shkollë dhe një manual pune për studentët dhe restauratorët e ardhshëm”, përfundoi ministrja Mirela Kumbaro. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.