BRUKSEL – KE propozon projektbuxhetin 2019 bashkë me kontributin britanik

BRUKSEL, 23 maj /ATSH-AFP/ – Komisioni Europian prezantoi sot një projektbuxhet për vitin 2019 prej 166 miliardë eurosh, bazuar mbi parimin që Britania e Madhe do të vazhdojë kontributin deri në fund të vitit 2020.

”Ky projektbuxhet është i bazuar në parimin që Britania e Madhe, pas tërheqjes së parashikuar më 30 mars 2019, do të vazhdojë të kontribuojë dhe të marrë pjesë në ekzekutimin e buxheteve të BE-së deri në fund të vitit 2020, ashtu si të ishte një shtet anëtar”, thekson ekzekutivi europian në një komunikatë.

“Do të përballemi me një buxhet normal dhe jo të shënuar nga Brexit”, nënvizoi komisioneri europian për Buxhetin, Gunther Oettinger në një konferencë shtypi.

“Fakti që britanikët do të respektojnë detyrimet e tyre është hipoteza më e mundshme”, sipas gjermanit.

Buxheti është hartuar në kudrin shumëvjeçar 2014-2020, për të cilin Britania e Madhe ka garantuar angazhimin e saj. Në negociatat e ndërmarra për organizimin e tërheqjes britanike, një marrëveshje paraprake u arrit mes Londrës dhe Brukselit për një periudhë tranzicioni 21-mujore pas Brexit.

Projektbuxheti 2019 parashikon 166 miliardë euro (shumë e parashikuar për programe që mund të shtrihen në një periudhë prej më shumë se një vit), një rritje prej 3% në raport me buxhetin 2018./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.