Ancelotti pranë “Napolit”, kontratë dyvjeçare dhe shumë merkato

TIRANË, 23 maj/ATSH/ – Carlo Ancelotti duket se është shumë pranë nënshkrimit të një kontrate dyvjeçare me skuadrën e “Napolit”.

Trajneri dhe Presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis kanë zhvilluar tri orë takim kokë më kokë në kryeqytetin italian, Romë.

Presidenti i Napolit i ka prezantuar trajnerit me shumë eksperiencë projektin e tij, për ta bindur që të kthehet për të drejtuar në Serinë A.

Takimi është mbyllur rreth 25 minuta pas mesnate dhe tashmë pritet vetëm përgjigjja përfundimtare e Ancellotit për propozimin e De Laurentiis.

Mësohet se trajnerit 58-vjeçar i është ofruar një kontratë 2-vjeçare, me një pagë 6.5 milionë euro në sezon.

Me Ancelottin në stol do të ndryshojë edhe perspektiva e merkatos së Napolit. Goditja e parë e madhe pritet të jetë Suso, që ka cilësitë e duhura, vlerën e kartonit dhe një pagë të përballueshme për parametrat e Napolit. Ancelotti pritet të risjellë në Serie A edhe Vidal nga Bayern Munchen dhe Balotellin nga Nica.

/gj.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.