Videopërgjimi, lidhet me kokainën që ka kumbarë njerëz të rangut të lartë në PD

240

TIRANË, 22 maj /ATSH- I. Vata/ – “Presim me durim që Prokuroria të marrë përgjigjen për këtë material, videopërgjim sa qesharak, aq edhe të rrezikshëm, nga një laborator shkencor në cilindo vend partner të Shqipërisë, deklaroi kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në lidhje me materialin e videos së publikuar nga PD, Balla e konsideron si qesharake dhe një lojë që mbaron me të pavërtetën, që së shpejti prokuroria do e nxjerrë në pah.

Në një postim në statusin e tij social “Facebook”, Balla shprehet me ironi se “…a po e konkurron SHQUP-i, ‘Portokallinë’ apo ‘Al Pazarin’?! Me gjëmën e lajmëruar për dje dhe të shfaqur si përshkallëzim i luftës antidrogë nga ana e Partisë Demokratike, është e qartë që SHQUP-i po i bën konkurrencë të pandershme ‘Portokallisë’, ‘Al Pazarit’ e çdo estrade në televizione! Loja e ka kush e ka për autorin e përgjimit që Luli thotë e ka Babalja, Babalja thotë e ka gazetari, gazetari thotë e ka PD, po zhvillohet me intensitet në rritje dhe autorësia po mbetet një jetim në prehrin e Saliut, që u bë me tre çuna tanimë, Shkëlzenin, Lulin dhe Babalen!”

Më tej, Balla shton se “Saliu është ai që e di të vërtetën dhe që e ka futur Lulin në aventurën e radhës, duke e urdhëruar të udhëheqë këtë beteje krah për krah me Babalen, me një kasetë të fabrikuar në dorë! Dhe tani që jo vetem Saliu, po edhe Luli me garipat e tij e kanë kuptuar që në e dimë të vërtetën dhe e vërteta do të dalë shumë shpejt, përpiqen t’ia lënë Babales dhe gazetarit, pataten e nxehtë të krimit të fabrikimit të një bisede që nuk ka ndodhur”.

Ai shton më tej, se “po ashtu, edhe Babalja që është Babale, nuk e merr në dorë pataten e nxehtë dhe gazetari jo e jo! Ne presim me durim Prokurorinë që të marrë përgjigjen për këtë material sa qesharak, aq edhe të rrezikshëm, nga një laborator shkencor në cilindo vend partner të Shqipërisë. Ndërkohë, është e qartë për ne edhe që ky përshkallëzim lidhet me kokainën e kapur nën banane, për të cilën kanë qenë kumbarë njerëz të rangut me të lartë në PD. Edhe kjo e vërtetë do të dalë, po puna është që ndërkohë po sabotohet çelja e negociatave etj, përmes kësaj baltë të përditshme që në fund i bën keq Shqipërisë dhe shqiptarëve”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.