Shqipëria e angazhuar për respektimin e të drejtave të njeriut

195

TIRANE, 22 maj/ATSH/ – Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, zhvilloi një takim me Komisioneren e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatović.

Takimi u zhvillua në kuadër të vizitës së saj të parë në vendin tonë, pas marrjes së detyrës në prill 2018.

Fokusi i vizitës kishte të bënte me të drejtat e fëmijëve, të drejtat e personave me aftësi të kufizuara dhe aksesi në drejtësi.

Në fillim të takimit, Bushati, uroi komisioneren Mijatović për zgjedhjen në postin e Komisionerit të KiE-së për të Drejtat e Njeriut, si gruaja e parë në këtë post dhe Komisioneri i parë nga Rajoni.

Ai vuri theksin tek angazhimet e Shqipërisë në drejtim të respektimit të të drejtave të njeriut, në kuadër të veprimtarisë së organizatave ndërkombëtare, posaçërisht edhe të Këshillit të Europës, por edhe si pjesë e angazhimeve për hapjen e bisedimeve me BE. “Mbrojta e të drejtave të fëmijëve, grave, lufta kundër dhunës në familje, janë angazhime jo vetëm të Qeverisë shqiptare, por edhe të gjithë shoqërisë”, – tha ministri Bushati.

Komisionerja Mijatovic, përshëndeti Shqipërinë për hapat e bërë në drejtim të mbrojtjes të të drejtave të njeriut, veçanërisht, të fëmijëve dhe grave, por edhe të personave të tjerë në nevojë duke nxitur bashkëpunimin midis Qeverisë dhe përfaqësuesve të këtyre shtresave, si edhe shoqërisë civile, në përgjithësi. “Ky është një dimension i rëndësishëm i veprimtarisë së Këshillit të Europës, ku do te jetë e përqendruar edhe puna e Komisionerit për Mbrojtjen e të Drejtave të njeriut”, – tha Mijatovic. “Besoj në bashkëpunimin e frytshëm dhe të vazhdueshëm midis Shqipërisë dhe Zyrës së Komisionerit në këtë drejtim”, – u shpreh ajo.

Komisionerja Mijatovic, do të ketë takime në ditët në vijim edhe me anëtarë të tjerë të Kabinetit Qeveritar, me përfaqësues të shoqërisë civile si dhe të shoqatave dhe institucioneve që trajtojnë këto shtresa vulnerable. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.