Shkolla 9-vjeçare “Katund i ri” në Dibër, me kabinet të ri informatike

TIRANË, 22 maj/ATSH- A.Fortuzi/ – Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchandt, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Dibër Muharem Rama, nga deputetë të qarkut Dibër, nga Prefekti i Qarkut Dibër Nexhbedin Shehi, si dhe nga drejtuesit e DAR Dibër, inauguruan një kabinet informatike me të gjitha pajisjet e nevojshme në shkollën 9-vjeçare “Katund i Ri”.

Në fjalën e tij, Borchandt përshëndeti organizuesit e aktivitetit në nder të tij, dhe theksoi që në të ardhmen OSBE do të financojë edhe projekte të tjera në shkollat e Dibrës, dhe jo vetëm.

Kryetari i bashkisë, Muharem Rama, shprehu falenderimet e tij për ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri për kontributin e dhënë për këtë shkollë, duke e ftuar këtë të fundit që ta ketë në vëmendje Dibrën për financime të mëtejshme në institucionet arsimore, pasi Dibra është krahinë arsimdashëse.

Ky aktivitet u parapri nga një takim i Borchandt me kryetarin e bashkisë Rama në zyrën e këtij të fundit, ku u fol dhe diskutua mbi implementimin e reformës territoriale, gjendjen ekonomike dhe sociale, si dhe për iniciativat e ndërmarra nga bashkia në fushën e sigurisë publike./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.