Përurohet rruga Krushevë-Shishtavec

TIRANË, 22 maj/ATSH/ – Është përuruar sot rruga Krushevë-Shishtavec, në Dragash, rrugë kjo e cila lidh Kosovën me Shqipërinë. Ndërtimi i saj, është financuar nga Bashkimi Europian dhe investimi është pjesë e Programit për Bashkëpunim Ndërkufitar të IPA-s dhe si synim ka lehtësimin e komunikimit në mes të banorëve nga të dy anët e kufirit.

Në përurim ishte e pranishme shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, ambasadori i Shqipërisë Qemal Minxhozi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të Kosovës.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se ky investim është mundësuar nëpërmjet fondeve të BE-së dhe zyrave te BE-së në Kosovë dhe në Shqipëri. Ajo bëri të ditur se shuma e investimeve është 1 milion euro për secilin vend.

”Kjo rrugë do të shërbejë për lidhjen mes dy vendeve. Ne mirëpresim që ky veprim do të lehtësojë qasjen ndërkufitare përmes komunikimit më të mirë dhe më të lehtë të njerëzve dhe banorëve në të dy anët e kufirit, të cilët kanë lidhje kulturore, dhe të njohura për njëri-tjetrin. Banorët e komunave Shishtavec dhe Dragash janë të përkatësisë etnike shqiptare dhe gorane. Rritja e komunikimit dhe qasjes në mes të dy anëve të kufirit do të maksimizojë shkëmbimet kulturore midis dy komuniteteve etnike. Do të përmirësojmë zhvillimin ekonomik të zonës ndërkufitare përmes qasjes së përmirësuar për turistë që dëshirojnë të vizitojnë të dy vendet”, – tha ajo.

Shefja e BE-së në Kosovë theksoi se gjatë zbatimit të projektit kanë hasur në vështirësi dhe jo të gjitha janë zgjidhur, pasi një pjesë e rrugës nuk është në gjerësinë e duhur për shkak të problemit me tokat, pasi pronarët e tokave dëshirojnë të paguhen më shumë se sa vlerësimi i bërë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Fatmir Limaj, në emër të Qeverisë, ka falënderuar Bashkimin Europian për këtë investim, duke thënë se ndërtimi i kësaj rruge do të ndihmojë qytetarët e kësaj zone.

“Sot po iu krijojmë mundësi banorëve andej e këtej kufirit që të komunikojnë, të bashkëpunojnë, të shkëmbejnë, ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të dalin nga izolimi. Për ne është shumë e rëndësishme që komuniteti ynë këtu që jeton në këtë pjesë të Kosovës ta rrit komunikimin dhe bashkëpunimin me pjesën shqiptare. Zgjedhja e këtij projekti nga BE është simbolik në vete, se miqtë tanë i shohin nevojat që ndihmojnë kombin dhe Qeverinë qendrore që së bashku me këtë projekt të zhvillojmë hapësirë që njerëzit të jetojnë të lumtur dhe shpresoj që herën tjetër kur të vijmë në këtë vend, të bëjmë përurim të ndonjë fabrike apo biznesi”, – tha Limaj.

Numri dy i Qeverisë së Kosovës u ka bërë apel banorëve të Dragashit që të shfrytëzojnë bukuritë natyrore dhe mundësitë që ky vend iu ofron. Kurse, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, deklaroi se ndërtimi i kësaj rruge është shumë i rëndësishëm për banorët e të dyjave shteteve.

Do të ketë përfitim nga bujqësia dhe turizmi “… është një ndjesi shumë e mirë për ne, por më e madhe është për banorët e të dy anëve të kufirit. Sot njerëzit lëvizin lirshëm mallrat e tyre dhe besoj që do të ketë një input shumë pozitiv në marrëdhëniet ndërkufitare, në marrëdhëniet e kompanive të ndryshme. Dy janë resurset kryesore që mund të përdoren nga ndërtimi i kësaj rruge, bujqësia dhe turizmi”, – tha ai.

Gjithashtu kryetari i komunës së Dragashit, Shaban Shabani, u shpreh se më në fund banorët e kësaj zone po dalin nga izolimi.

“Nga sot po fillojmë të dalim nga izolimi i kahmotshëm për të gjithë qytetarët tanë. Nga sot është një ditë historike për banorët tanë këndej dhe andej kufirit, se po bëhet një komunikim i drejtpërdrejtë në infrastrukturë.

Po bëhet një komunikim i drejtpërdrejt në sfera të tjera që do të ndikojnë edhe në zhvillimin ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies tek qytetarët”, – tha kreu i Dragashit. /M.Duraku/ /m.z//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.