Opozita bllokon për çështjen “Xhafaj” punimet në komisionet parlamentare

223

TIRANË, 22 maj /ATSH- I. Vata/ – Komisionet parlamentare kanë nisur sot me debate të forta mes anëtarëve të mazhorancës dhe të opozitës.

Të gjitha komisionet kanë devijuar axhendën e komisioneve, Komisioni i Shëndetësisë, Komisioni i Ekonomisë, Komisioni i Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik pasi opozita u përqendrua te akuzat ndaj vëllait të ministrit.

Në Komisionin e Shëndetësisë, deputetët e PD, Bardh Spahia dhe Aldo Bumçi kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit Xhafaj, i cili sipas tyre, duhet të jetë subjekt i ligjit Antimafia.

Në përgjigje të tyre, deputetja socialiste, Elisa Spiropali, deklaroi se opozita po bën një puç si në vitin 1998, por këtë radhë pa armë.

“Keni bërë një puç, që nuk është me armë, por që kush e ka bërë do mbajë përgjegjësi. Jeni bërë turp ndërkombëtar. Edhe pas 100 vitesh do ju shkruhet emri në librat e historisë, se nuk ishte parë kurrë që deputetët e opozitës të merren me sajimin e një videoje të tillë. Mos e sulmoni Ministrinë e Brendshme, lëreni të bëjë detyrën, që e bën me përgjegjshmërinë më të plotë”, është shprehur Spiropali.

Deputeti i PD-së Bardh Spahia  ka ripërsëritur qëndrimin e tij për dorëheqjen e ministrit. “Fatmir Xhafaj duhet të ishte dorëhequr dhe duhet të ishte subjekt i ligjit Antimafia”, tha ai.

Edhe Komisioni i Ekonomisë ka nisur me debat të forta mes anëtarëve të komisionit të mazhorancës dhe të opozitës po për këtë çështje.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.