Francezi që zgjodhi fshatin e Përmetit për të investuar në agro-turizëm

TIRANË, 22 maj/ATSH/ – Investitori francez që ka zgjedhur të investojë në Shqipëri në fushën e agro-turizmit, ndau eksperiencën e gati një dekade në praninë e Kryeministrit.

Duke ndarë momentet e para ku mendoi të vendosej në Labinot të Elbasanit, investitori tregoi vështirësitë e punës, për shkak se para 10 viteve në Shqipëri ende nuk ishte kuptuar mire rëndësia e zhvillimit të agro-turizmit.

“Kur shkova në Elbasan të gjithë banorët talleshin me mua. Askush nuk e besonte se kishte për të funksionuar, sepse ishin në atë botëkuptimin që duhet mbjellë vetëm grurë dhe misër në këtë zonë dhe asgjë tjetër. Pastaj, kur fillova të ndërtoja shtëpitë e drurit u tallën, thanë që për një vit shtëpia do të bjerë në tokë. Pas 8 vitesh, i çmontova dhe i vendosa këtu”, – u shpreh ai. Por, pas suksesit të tij, ishin vetë banorët që kërkonin këshilla se si ndërtohej një shtëpi me dru, sepse panë që ajo çka kisha ngritur ishte goxha funksionale”.

Ndërkaq, investitori tregoi se në Përmet (Ballaban) ai e ka shtuar veprimtarinë e tij.

“Ne donim thjesht të ndryshonim ambientin. U vendosëm këtu dhe e kemi shtuar veprimtarinë, pra ne bëjmë agro-turizëm, bëjmë edhe bujqësi për turizëm.

Ajo çka sipas tij dukej interesante është fakti që banorët ishin shumë rezistentë ndaj ndryshimit. Megjithëse, ai tregon se djemtë e fshatit Ballaban nuk kishin menduar asnjëherë t’u bënin guidë turistëve në këtë fshat, ndërsa sot sipas tij, janë duke fituar para me këtë gjë.

Investitori francez inkurajon të gjithë banorët e kësaj zone për t’u orientuar drejt turizmit, sepse sipas tij, aty do të gjejnë edhe tregun e prodhimeve të tyre.

Investitori francez ka ngritur prej gati 2 vitesh “Ferma Grand Albanik”, ndërsa për 8 vite ka qenë në Labinot. /z.tosku /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.