“Forca e ligjit”, prioritet kryesor për policinë

TIRANE, 22maj /ATSH/ -Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda zhvilloi një takim me drejtuesit vendorë të Policisë së Gjirokastrës.

Gjatë fjalës së saj, ministrja u ndal në disa nga prioritetet e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Ajo vlerësoi përfundimin e fazës së parë të procesit të Vettingut duke deklaruar se ai u zhvillua pikërisht në kohën e duhur.

“Është e vërtetë që Qeveria shqiptare ndërmori reformën e madhe, atë në drejtësi, që lidhet në fakt me dy organe të pavarura, por të lidhura me punën e Policisë. Policia e Shtetit është në vijën e parë, është ajo që ndeshet e para me krimin. Kështu që detyrimisht ka lidhje patjetër me Prokurorinë, edhe me Gjykatën”, theksoi Voda.

Ministrja u ndal edhe në luftën ndaj krimit të organizuar dhe operacionin “Forca e ligjit” duke e konsideruar si prioritetin kryesor.

Lufta ndaj kultivimit të lëndëve narkotike ishte një tjetër pikë e rëndësishme e diskutuar. Voda vlerësoi se 2017 ka qenë viti ku pati një ulje drastike të kultivimit.

“Në bazë të të gjitha kontrolleve të territorit që keni organizuar, e rëndësishme është që të ndihet prezenca e policisë në territor. Pra mesazhi është shumë i qartë”, tha Voda.

Gjatë takimit u trajtuan edhe problematikat që lidhen me menaxhimin e kufirit.

“Po punojmë për një projekt, për mbështetje logjistike për luftën kundër krimit të organizuar dhe një nga shtyllat kryesore është edhe kontrolli kufitar”, përfundoi Voda. /e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.