FOKUS – Italia shqetëson BE-në dhe tregjet

HAGË, 22 maj /ATSH-AFP/ – Europa dhe tregjet kanë shfaqur një shqetësim në rritje përballë zhvillimeve politike në Itali, shtet themeltar i BE-së dhe i monedhës euro, që ndodhet shumë pranë drejtimit nga një qeveri populiste dhe euroskeptike.

Paralajmërimet nga ana e liderëve europianë janë rritur ndjeshëm në ditët e fundit kundrejt koalicionit anti-europian që po krijohet në Romë.

Aq më shumë që ky koalicion nuk i fsheh qëllimet e tij për të zbatuar një politikë të rimëkëmbjes ekonomike duke anashkaluar deficitin publik dhe borxhin, rritet rreziku për të shkaktuar një krizë të euros.

Presidenti italian, Sergio Matarella kërkoi sot një etapë të re konsultimesh përpara vendimit nëse do të pranojë apo jo dekretimin e figurës së Guiseppe Conte, një jurist i panjohur nga publiku i gjerë i propozuar nga koalicioni mes Lëvizjes 5 Yjet (L5Y, antisistem) dhe Ligës (ekstremi i djathtë) për të drejtuar qeverinë. Refuzimi i tij do të sillte zgjedhje të parakohshme.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker nuk pranoi të bëjë asnjë lloj komenti në pritje të vendimit.

“Ne jemi në dijeni që procesi kushtetues është në vijim dhe do të presim përfundimin e tij’’, u shpreh zëdhënësi i tij, Margaritis Schinas.

Por disa anëtarë të komisionit shprehën shqetësimin e tyre.

“Po ka diçka shqetësuese’’, pohoi në këtë mënyrë komisionerja Europiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom para takimit të sotëm ministror në Bruksel.

Euro vijon të mbetet nën presionin e dollarit, pasi regjistroi një ditë më parë nivelin më të ulët që prej mesit të muajit nëntor.

Në një intervistë të publikuar sot në të përditshmen ekonomike gjermane “Handelsblatt” zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis paralajmëroi se “Në parim, Komisioni Europian nuk ndërhyn në politikëm kombëtare. Por, për ne është e rëndësishme që qeveria e re italiane të respektojë objektivin e përcaktuar dhe të drejtojë një politikë buxhetore të arsyeshme”./

/v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.