FMN: Hapja e negociatave, dritare mundësish më të mëdha për investime

148

TIRANË, 22 maj/ATSH/- Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) përfundoi më 18 maj rishikimin e monitorimit të parë të periudhës së pas programit të Fondit për Shqipërinë.

Ekonomia shqiptare ka vijuar të forcohet, thuhet në raport, ku rritja reale vjetore e ekonomisë gjatë vitit 2017 ishte 3.8%, duke reflektuar kërkesën e fortë vendase të nxitur nga rigjallërimi i sektorit të ndërtimit, forcimi i tregut të punës dhe kreditimi i ekonomisë familjare, si dhe investimeve të huaja direkte në projekte të mëdha energjitike.

Ndërkohë, borxhi publik në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) është ulur.

Deficiti i llogarisë rrjedhëse u ngushtua në 6.9 për qind të PBB-së, mbështetur nga industria e turizmit dhe eksporti i shërbimeve të tjera, ndërsa niveli i rezervës në valutë të huaj mbetet i kënaqshëm.

Inflacioni është i ulët dhe ndonëse rritja e kreditimit është e dobët, sipas FMN-së, bankat janë likuide dhe të qëndrueshme.

“Pozitive është se hapja e negociatave të anëtarësimit mund të sigurojë një dritare mundësish më të mëdha për nxitjen e zbatimit të axhendës së reformave, duke çuar në rritjen e investimeve dhe të PBB-së”, citohet raporti.

Shqipëria, sipas Fondit, po përjeton rritje të fortë ekonomike, por kjo mund të mos zgjasë pa një nxitje të rëndësishme për kryerjen e reformave strukturore.

“Vendit i duhet ende të shfrytëzojë plotësisht kostot e tij të ulëta të punës dhe afërsinë me Bashkimin Europian, për shkak të një mjedisi të vështirë të të bërit biznes, që frenon investimet. Për këtë arsye, është jetike që qeveria të shfrytëzojë këto momente të mira për të çuar përpara axhendën e reformave, forcuar potencialin e rritjes ekonomike dhe të bëjë që vendi të përfitojë nga anëtarësimi i mundshëm në BE”, thuhet më tej.

Ndërsa FMN vëren se politika aktuale monetare është e duhura.

“Politika monetare është aktualisht në nivelin më të ulët historik në përputhje me inflacionin e ulët dhe faktorët e jashtëm. Masat për uljen e euroizimit dhe thellimin e tregjeve të brendshme financiare janë të mirëpritura. Kursi fleksibël i shkëmbimit me valutat e huaja ka qenë një stabilizues i rëndësishëm për ekonominë dhe Banka e Shqipërisë ka ndërtuar një mekanizëm të favorshëm për rezervat e valutës së huaj për të amortizuar goditjet nga faktorë të jashtëm”, citohet raporti.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.