Kompensim financiar për pronarët që preken nga ndërtimet informale

TIRANË, 21 maj/ATSH/ – Pronarët e pronave private dhe pasurive të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimet informale do të kompensohen financiarisht.

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e tij ditën e sotme se vlera e kompensimit për 76 535.39 m2 do të jetë 1 083 745 912,78 (një miliard e tetëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e dyzet e pesë mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë presje shtatëdhjetë e tetë) lekë.

Kompensimi financiar do të jetë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet informale, në drejtoritë e ALUIZNI-t: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Kamzë Vorë, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Korçë, Durrës dhe Sarandë.

Vendimi i plotë

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMET INFORMALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet informale, në drejtoritë e ALUIZNI-t: Tiranë Veri, Tiranë Jug, Tiranë Shtesat, Kamzë Vorë, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Korçë, Durrës dhe Sarandë.
  2. Masa e kompensimit është 76 535,39 (shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind e tridhjetë e pesë presje tridhjetë e nëntë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 1 083 745 912,78 (një miliard e tetëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e dyzet e pesë mijë e nëntëqind e dymbëdhjetë presje shtatëdhjetë e tetë) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
    3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:
    i. Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1:
    Prona nr.1, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas miratimit nga kreditori, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
    ii. Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1:
    Pronat 14, 17 dhe 44, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pasi të ketë përfunduar procedura e ekzekutimit të detyrueshëm, sipas pikës 14, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
    iii. Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1:
    Pronat 4, 5, 6, 13, 17, 19, 28, 31, 37, 40, 63, 194 dhe 206, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
    ç) Për numrat rendorë të pronave, (kolona 13) të shtojcës 1:
    Pronat 8, 153 dhe 164, sipas seksionit të veçantë (kolona 18) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mbivendosjes, sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”, të ndryshuar.
  3. Zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, përkatësisht, në Tiranë, Kamzë Vorë, Elbasan, Vlorë, Lezhë, Korçë, Durrës dhe Sarandë, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
  4. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale, Agjencia e Trajtimit të Pronave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.