Haradinaj kërkon angazhim të ministrave për zonën e lirë ekonomike amerikane

PRISHTINË, 21 Maj/ATSH/.- Në mbledhjen e sotme të qeverisë kryeministri Ramush Haradinaj, ka kërkuar angazhim dhe seriozitet nga anëtarët e kabinetit qeveritar që kanë detyrime për përgatitjen e shpalljes së Zonës së lirë ekonomike amerikane, në mënyrë që ajo të përfundojë në kohë.

Haradinaj vlerësoi se ky është një projekt me efekte afatgjate zhvillimore dhe me mesazh të mirë për të gjithë investitorët e huaj në Kosovë.

Kryeministri ka ngritur edhe shqetësimet për bllokimin e rrugës Prishtinë-Hani i Elezit nga rrëshqitjet e dheut. Ai ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës informacion për punën që po bëhet dhe për gjetjen e zgjidhjeve afatgjata për rrëshqitjet e dheut në këtë zonë.

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Kosovës dhe qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut për asistencë teknike në procesin e integrimit europian.

Asistenca pritet të japë rezultate në krijimin e mekanizmit për trajnim dhe asistencë teknike për komunikimin në mënyrë efektive të temave kyçe të procesit të integrimit, si pjesë e përpjekjeve të përbashkëta të Ministrisë së Integrimeve Evropiane dhe donatorëve.

Kontributi financiar i qeverisë së Luksemburgut do të jetë në shumën 2 milionë euro, ndërsa qeveria e Republikës së Kosovës është e detyruar të kontribuojë me 100 mijë euro për realizimin e këtyre projekteve.

Në mbledhjen e sotme janë aprovuar edhe një sërë vendimesh të tjera të rëndësishme./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.