Grant kuvajtian për infrastrukturën e transportit në bregdet

382

TIRANË, 21 maj/ATSH/ – Zonat bregdetare jugore të Shqipërisë do t’i nënshtrohen një studimi fizibiliteti për projekte të infrastrukturës së transportit, e cila do të kushtojë 200 mijë dinarë kuvajtianë.

Këshilli i Ministrave vendosi sot miratimin në parim të marrëveshjes së grantit për asistencë teknike ndërmjet republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab.

Vendimi i plotë 

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT PËR ASISTENCË TEKNIKE, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE FONDIT TË KUVAJTIT PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK ARAB, PËR FINANCIMIN E PËRGATITJES SË NJË STUDIMI FIZIBILITETI PËR PROJEKTE TË INFRASTRUKTURËS SË TRANSPORTIT, NË ZONAT BREGDETARE JUGORE TË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit për asistencë teknike, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e përgatitjes së një studimi fizibiliteti për projekte të infrastrukturës së transportit, në zonat bregdetare jugore të Shqipërisë, me një grant në shumën prej 200 000 (dyqind mijë) KD (dinarësh kuvajtianë), sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.