Braçe-opozitës: Deklaratat për dhunë, antikushtetuese

TIRANE, 21 maj/ATSH/- Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave u përfshi sot sërish në debate për çështjen “Xhafaj”.

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka paralajmëroi se nëse kjo qeveri nuk shkarkon ministrin e Brendshëm pas publikimit të audio përgjimit ku PD akuzon se në të është i përfshirë vëllai i ministrit, atëherë opozita tha Noka, do ta rrëzojë me dhunë qeverinë.

“Nëse të shtunën nuk shkarkoni ministrin, bëhuni gati se do ju largojmë me gjithë kryeministrin”, tha Noka.

Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i kreut të komisionit të Ekonomisë dhe Financave Erion Braçe, i cili i ka kujtuar deputetit Noka se deklarata të tilla janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe si të tilla përbëjnë faj të rëndë.

“Kërcënimet në një demokraci kushtetuese janë të tepërta, por në referencë të ligjit kërcënimet janë edhe faj i rëndë në raport me ligjin. Nëse mendoni se mund ta merrni me dhunë, bujrum merreni me dhunë ashtu siç e bëtë në 26 maj të vitit 1996. Jeni totalisht përballë, kundër Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nga germa A deri tek e fundit kur kërkoni të merrni pushtetin me dhunë”, deklaroi Braçe.

Nga ana tjetër, Braçe theksoi se PD duhet të ngrejë akuza individuale dhe jo kolektive.

“Jemi në demokraci që prej vitit 1990 dhe nuk ka krime kolektive. Krimi është individual. Kjo histori t’i adresohet institucioneve kushtetuese”, theksoi Braçe.

Ndërsa duke iu përgjigjur akuzave mbi autenticitetin e audios së publikuar në media dhe mënyrës se si kjo audio është siguruar nga kryeministri Rama, Braçe tha se audio është marrë nga email i shpërndarë prej Partisë Demokratike.

“E pranoj se është provë e rreme, nëse email i PD është provë e rreme”, tha Braçe.

“Kjo historia që vepron e shpall fajtor Partia Demokratike në këtë vend dhe pastaj këtë gjë duhet ta verifikojnë institucionet nuk ka lidhje me Kushtetutën, as me ligjin penal, as me moralin e asgjë tjetër që kemi votuar nga viti 90 e këtej”, theksoi Braçe.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho deklaroi se mos shkarkimi i ministrit Xhafaj është një nga pengesat për integrimin e vendit në BE.

Por, Braçe theksoi se është Partia Demokratike e vetmja parti që e ka sabotuar në mënyrë kriminale integrimin e Shqipërisë.

“Partia Demokratike, është e vetmja parti që e ka sabotuar në mënyrë kriminale prej 5 vitesh integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Thagmat që ka bërë Lulzim Basha janë kthyer në barsaleta në çdo parlament të BE-së. Të fundit që ishin në Tiranë dhe ua thanë qartë, ishin deputetët holandezë, që u vunë përpara parimin e prezumimit të pafajësisë, dhe për një krim individual dhe jo për një krim kolektiv. Para tyre me zë e me audio ua tha ekzaktësisht deputeti gjerman, raportues në Bundestag: nuk dënohet ministri i Brendshëm për një familjar të tij, sepse kështu funksionon ligji”, tha Braçe.

Sa i takon deklaratave për përdorimin e dhunës në protestën e  thirru në 26 maj, Braçe deklaroi se “nuk tremb asnjë Sali Berisha as Lulzim Basha”.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.