1 mijë çështje të zgjidhura në muaj përmes bashkëqeverisjes, 120 zyrtarë të ndëshkuar

TIRANË, 21 maj/ATSH-Maela Marini/ – Çdo muaj ne zgjidhim rreth 1 mijë probleme përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, ndërsa deri tani janë  ndëshkuar rreth 120 zyrtarë që nuk i janë përgjigjur qytetarëve.

Në kuadër të turit të llogaridhënies publike në Gjirokastër, Kryeministri Edi Rama tha se po bëhet një përpjekje shumë serioze për shërbimet administrative, një sëmundje e vjetër dhe problem i madh për njerëzit.

“Ky është një problem që ndeshin njerëzit kur ju duhen të shkojnë në një zyrë, në hipotekë apo çfarëdo zyre për të marrë një dokument. Ne kemi siguruar një mekanizëm që funksionon për çdo njeri në qytet apo fshat, i pasur apo i varfër, që të ketë mundësi që brenda 10 ditësh të marrë zgjidhje për problemin e tij me administratën”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se platforma e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al, është një adresë ku çdo qytetar i këtij vendi mund të marrë zgjidhje edhe për probleme që kanë vite pa u zgjidhur.

“Çdo muaj ne zgjidhim rreth 1 mijë probleme me hipotekën, tatimet, OSHEE, ALUIZNI-n, dokumentat e pensionit dhe gjithëfarëlloj zyrash. Është shumë e thjesht sepse çdo kërkesë dhe ankesë që kalon përmes platformës, nuk ndjek rrugën e zakonshme tradicionale të burokracisë, por shkon direkt te ministri që mbulon atë sektor. Është detyra e tyre ta ndjekin duke u bërë krahu i personit që ankohet dhe jo vetëm kaq, por për çdo rast kur kërkesa është e drejtë merret përgjigje brenda 10 ditësh. Ka edhe raste, kur nuk është e drejtë dhe thuhet kjo nuk bëhet, por kur njeriu pret për vite edhe një “jo” është e mjaftueshme”, – tha Rama.

Po ashtu, Rama tha se “ka raste kur kërkesat nuk lidhen me qeverinë, por me gjykatën dhe e kemi të pamundur t’i zgjidhim”.

Por shumica e problemeve, sipas tij, lidhen me administratën dhe pasi personi merr të drejtën e tij bëhet një hetim administrativ.

“Kur konstatohen shkelje ka largime nga puna, ndjekje penale dhe paralajmërime për largime nga puna. Pra nuk mbeten pa u ndëshkuar. 120 persona janë ndëshkuar për mospërgjigje ndaj qytetarëve”, – shtoi Rama.

Duke u bërë thirrje qytetarëve t’i drejtohen kësaj platforme, Rama tha se “ata njëkohësisht ndihmojnë të zgjidhim problemin e përgjithshëm të pastrimit dhe disiplinimit të administratës”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.