Të përndjekurit politikë: Dëmshpërblimi nga qeveria, aq sa nuk u bë në 25 vite

Të përndjekurit politik: Dëmshpërblimi nga qeveria, aq sa nuk e bë në 25 vite

Të përndjekurit politik: Dëmshpërblimi nga qeveria, aq sa nuk e bë në 25 vitehttps://ata.gov.al/2018/05/20/te-perndjekurit-politik-demshperblimi-nga-qeveria-aq-sa-nuk-e-be-ne-25-vite/Agron Talo nga Tirana, ish-i burgosur politik që ka vuajtur dënimin në burgun e Spaçit në kohën e diktaturës, tha për ATSH se është një ligj i pritur prej 27 vitesh nga të burgosurit politikë, sepse kanë punuar me punë të detyruar në minierat e Spaçit, Qafë-Barit, Bulqizës, Batrës së Martaneshit për vite me radhë dhe nuk iu njihej e drejta e pensionit të minierës. “Kemi marrë këstin e tetë të dëmshpërblimit nga qeveria e kryeministrit Rama, dhe i jam mirënjohës për përkushtimin që ka patur për të përndjekurit politik”,shprehet për ATSH një tjetë i përndjekur politik.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 20.05.2018

 

 -Qeveria përmbyll dëmshpërblimin financiar për ish-të burgosurit politikë, tani dëmshpërblimi për trashëgimtarët dhe dhe kurimi i të shkuarës-

TIRANË, 20 maj /ATSH- I. Vata/ -Të burgosurit dhe të përndjekurit politikë deri në shtator të vitit 2012, kishin marrë vetëm një këst nga dëmshpërblimi për vitet e burgut dhe pafajësinë e tyre, sepse qeveritë ndër vite kishin lënë në harresë jo vetëm vuajtjen e tyre, por dhe dëmshpërblimin financiar, një detyrim ligjor për ta.

Greva e urisë e ish- të përndjekurve politikë është një grevë që nisi më 21 shtator 2012, në Tiranë ku  rreth 20 ish- të përndjekur politikë nisën një demonstrim për të tërhequr vëmendjen e qeverisë.

Greva, nisi vetëm për qëllime ekonomike, pasi kërkonin që shteti shqiptar t’i paguante për vitet e vuajtjes në burg (2000 lekë për çdo ditë burgim), ku sipas ligjit, ata meritonin 50 mijë lekë dita e burgut.

Pas një indiference të gjatë të qeverisë së asaj kohe, greva mori përmasa dhe mbështetje nga të gjithë të përndjekurit në të gjithë vendin, madje grevistët përdorën si mjet presioni vetëflijimin.

Gjatë grevës, dy grevistë Gjergj Ndreca  dhe Lirak Bejko  i vunë zjarrin vetes me benzinë në shenjë proteste për neglizhencën që po u bënin strukturat shtetërore, ku dhe humbi jetën Lirak Bejko.

Greva u mbyll në ditën e saj të 31-të me pasoja dhe impakt social, por që shërbeu si një shardan për të ndriçuar qeverinë e re e ardhur në pushtet në 2013.

Qeveria Rama për herë të parë futi në programin e qeverisë dëmshpërblimin financiar dhe moral të të burgosurve politikë dhe në mandatin e parë qeverisës u arrit që të gjithë të burgosurit që jetojnë, të marrin dëmshpërblimin e viteve të burgut prej 8 këste, si dhe u formatua skema e dëmshpërblimit, ku pas përmbylljes së këstit të tetë, ku shumica e të burgosurve merrnin dëmshpërblimin, skema përmbysej, 70% e fundit kalon për trashëgimtarët, ndërsa 30% për ata të burgosur që kanë bërë shumë vite burg.

Po ashtu, u rikuperuan mangësitë për dosjet e vonuara dhe në maj të vitit 2018, qeveria miratoi edhe listën për ata të burgosur që nuk kishin marrë asnjë këst nga dëmshpërblimi, pasi nuk kishin mundur të dorëzonin në kohë dosjet për dëmshpërblimin.

Një tjetër vendim që u vjen në ndihmë të burgosurve politikë është dhe miratimi i ligjit për për pensionet nga Kuvendin e Shqipërisë, ku u njihet e drejta e pensionit të minierës të gjithë të burgosurve politikë që kanë punuar më punë të detyruar në minierë dhe koha e punës llogarite sa dyfishi i saj.

Në parlament, ligji për pensionet u votua vetëm me votat e mazhorancës socialiste të drejtuar nga lidershipi Edi Rama.

Dëmshpërblimi moral

Qeveria ka ndërmarrë hapa në kurimin e të shkuarës së regjimit komunist duke vendosur në axhendën e saj transparencën me të shkuarën dhe është bërë shumë, por që duhet ende shumë punë.

Janë ndërtuar dy muze në Tiranë BunkArt 1 dhe BunkArt 2, memorial në kampin famëkeq të Tepelenës, memorial nderimi për viktimat e komunizmit si dhe hapja e dosjeve të sigurimit të shteti apo shpallja muze e burgut të Spaçit.

Të burgosurit politikë: Qeveria ka bërë shumë për të përndjekurit

Parlamenti pak ditë më parë votoi ligjin më të pritur nga të burgosurit politikë që kanë punuar me punë të detyruar në minierë në kohë të regjimit komunist, gjatë qëndrimit në burg.

Ligji parashikon në bazë të përllogaritjes se dita e burgut është e dyfishuar, që do të thotë se periudha njihet sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje

Agron Talo nga Tirana, ish-i burgosur politik që ka vuajtur dënimin në burgun e Spaçit në kohën e diktaturës, tha për ATSH se është një ligj i pritur prej 27 vitesh nga të burgosurit politikë, sepse kanë punuar me punë të detyruar në minierat e Spaçit, Qafë-Barit, Bulqizës, Batrës së Martaneshit për vite me radhë dhe nuk iu njihej e drejta e pensionit të minierës.

Ai shtoi se ligji duhet të ishte më i gjerë, ku të përfshiheshin edhe të burgosurit politikë që nuk kanë punuar në minierë, por kanë bërë burgun e Burrelit, një ndër më të tmerrshmit në Shqipëri.

“Ligji duhet të ishte në përputhje me konventat ndërkombëtare me të drejtat e njeriu të përfshinte të gjithë të burgosurit politik”, shton ai.

Talo thekson se “qeveria e kryeministrit Rama ka dhënë tetë këste në një mandat qeverisës, ndërsa në qeverinë e Sali Berishës, morëm vetëm një këst për 25 vite”.

“Nuk jemi të njësuar ende me ligjin dhe nuk dimë se si do veprohet, por kjo është një ndihmë e madhe që u bëhet të burgosurve politikë që kanë vuajtur në burgjet e diktaturës, sepse të burgosurit që kanë mbushur moshën e pensionit munden të dalin në pension miniere me kohë të plotë dhe ata që s’e kanë mbushur moshën, do presin pa kokëçarje për kohën e daljes në pension”, – tha Talo për ATSH.

Miratohet fondi i dëmshpërblimit për ata ish-të burgosur që s’kishin marrë asnjë këst

I burgosuri politik nga Kavaja, Agim Kollçaku, i cili ka vuajtur 10 vite në burgun e Spaçit, në një prononcim për ATSH, shprehet se është një ndihmë e madhe, fundja nuk morëm dëmshpërblim për punën e papaguar, por morëm dyfish vitet e punës, që na mundëson të kemi një pension miniere”.

“Unë kam qenë në dosjet e vonuara dhe deri më tani nuk kamë marrë asnjë, por miratimi i dosjeve të vonuara edhe unë tani do marrë dëmshpërblimin”, tha Kollcaku.

I burgosuri politik, Petrit Lipo që ka vuajtur në kohë të regjimit komunist 22 vite burg thotë për ATSH se “ne u dënuam në mënyrë të padrejtë dhe morëm pafajësinë, por për 25 vite nuk morëm asnjë lekë, deri sa u ngujuam në grevë urie në vitin 2012 dhe morëm vëmendjen e qeverisë Rama”.

“Kemi marrë këstin e tetë të dëmshpërblimit nga qeveria e kryeministrit Rama, dhe i jam mirënjohës për përkushtimin që ka patur për të përndjekurit politik”, tha Orieti.

Ligji për pensionet e minierës për të burgosurit politikë

Projektligji që u kthye në ligj nga Parlamenti shqiptar për pensionet e të burgosurve politikë që kanë punuar me punë të detyruar në kohë të komunizmit.

I burgosuri politikë në burgun e Spacit, Venemi Ranxha tha se “unë kam qenë jashtë vendit, si emigrant dhe nuk kisha mundësi të dorëzoja dosjen në kohë dhe nuk kam marrë asnjë këst. “Shtyrja e afatit për plotësimin e dosjeve nga qeveria Rama na bëri të mundur të ribëjmë dosjen nga e para dhe tashmë është miratuar dhe fatura financiare për shlyerjen e kësteve të dëmshpërblimit për vitet e burguat”, tha ai.

Ranxha, shtoi se edhe me ligjin për pensionet e minierës është bërë një gjë e madhe pasi të burgosurit që kanë punuar me punë të detyruar në minierë, të arrijnë të trajtohen si minatorë.

“Kjo qeveri bëri atë që se bënë të gjitha qeveritë së bashku për 25 vite radhazi. Ndihemi të përfaqësuar nga shteti, është dikush që mendon edhe për ne tashmë”, përfundoi ai.

Ligji i pensioneve të minierës për të ish- burgosurit politikë në kohë të diktaturës, llogaritet dyfishi i kohës

Një shtesë në ligjin Nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë.

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Vendosi: Neni 1 Pas paragrafit të fundit të shkronjës “a”, të nenit 5, të ligjit nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Koha e vuajtjes së dënimit të ish-të dënuarve politikë në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë, për efekt pensioni, të njihet si punë e kryer në minierë në nëntokë. Periudha njihet sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje.

Me 75 vota pro asnjë kundër dhe asnjë abstenim u miratua edhe projektligji “Për një shtesë në ligjin nr.7514, datë 30.9.1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”, të ndryshuar.

Paga llogaritet sa paga e punës në minierë. Vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohej në minierë në nëntokë lëshohet nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë”.

Procesi i integrimit të të përndjekurve politikë vazhdon nga qeveria për dëmshpërblimin financiar të trashëgimtarë, kurimin e të shkuarës, nxjerrjen në dritë të dosjeve të spiunëve të sigurimit dhe ndërtimin e zonave muzeale në vend. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.