Moratoriumi rikthen lejlekët në Gjirokastër

Moratoriumi rikthen lejlekët në Gjirokastër

Moratoriumi rikthen lejlekët në Gjirokastërhttps://ata.gov.al/2018/05/20/moratoriumi-rikthen-lejleket-ne-gjirokaster/I konsideruar si një shpend fatsjellës, kjo specie është respektuar që në kohë të hershme dhe në një basoreliev që ndodhet në Muzeun e Apollonisë është gdhendur figura e një lejleku.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 20.05.2018

TIRANË, 20 maj/ATSH-N.Lena/ – Lejlekët e bardhë, këta shpendë tradicionalë dhe sot të rrallë në Shqipëri, janë kthyer tashmë dhe po bëhen gati të bëhen “prindër” në Luginën e Drinos.

Janë parë një çift që ndërtojnë folenë në një shtyllë të tensionit të lartë. Specialistët e faunës së egër thonë se ata po e ndërtojnë çerdhen në të njëjtin vend, sikurse një vit më parë.

Në vitin 2017, kishte vetëm 4-5 fole lejlekësh në Shqipëri. Një fole ndodhej në një shtyllë elektrike dhe të tjerat në disa këmbanare kishash duke treguar kështu se shqetësimi nga njeriu është faktor kufizues.

Ndërkaq, në vitet 1950, lejlekët ishin me qindra dhe mëse të zakonshëm në çdo qendër të banuar të Ultësirës Perëndimore dhe zonave të tjera ligatinore të Shqipërisë, si Maliqi dhe Korça, Narta dhe Vlora, Tërbufi dhe Lushnja, Karavastaja dhe Divjaka, Durrësi, Lezha, Velipoja etj.

I konsideruar si një shpend fatsjellës, kjo specie është respektuar që në kohë të hershme dhe në një basoreliev që ndodhet në Muzeun e Apollonisë është gdhendur figura e një lejleku.

Zhdukja e tyre lidhet fillimisht me tharjen e kënetave si hapësira të parapëlqyera për të siguruar ushqimin. Kjo rënie fillestare e numrit të tyre u shtua më tej me intensifikimin e bujqësisë dhe përdorimin e pesticideve, urbanizimin, zhvillimin industrial, rritjen e infrastrukturës dhe të përdorimit të burimeve natyrore si nafta dhe gazi.

Sot ata kërcënohen edhe nga shqetësimi prej njeriut, elektroshoku dhe përplasja me linjat elektrike të tensionit të lartë.
Specialistët e faunës së egër thonë se ata mund të rikthehen përsëri në Shqipëri vetëm nëse ndërmerren masa mbrojtëse e menaxhuese, informuese në komunitetet ku ata folezojnë.

Prindërit e ardhshëm po punojnë të pashqetësuar për ndërtimin e çerdhes “prindërore” në një shtyllë elektrike. /r.e/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.