Kërkesa për ID-në, Nikolla: Komunikim i ri me prindërit me anë të teknologjisë

TIRANË, 20 maj/ATSH/- Ministrja e Arsimit ka reaguar për herë të parë ndaj akuzave të bëra nga opozita për çështjen e të dhënave të prindërve që u kërkuan në shkolla.

Banorët e Vllahinës pyetën ministren Lindita Nikolla për sqarimin e kësaj çështje.

Nikolla deklaroi se kjo kërkesë nga mësuesit ndaj fëmijëve tuaj është bërë për të ndërtuar një komunikim të ri me prindërit me anë të teknologjisë, për tu informuar se çfarë ndodh në shkollë dhe në politikat arsimore që ndërmerr ministria.

“Secili nga ne e jep numrin e kartës së identitetit në çdo shërbim që shkon. Shteti nuk e ka të vështirë, sepse kemi agjencinë edhe se ka fare të vështirë për ta bërë këtë. Teknologjia, e mail e kompjuterët, janë një instrument dhe një mundësi që ne në kohë reale të marrim përgjigje nga prindërit”, deklaroi Nikolla.

Ministrja e Arsimit, Nikolla informoi qytetarët se do të shpjegohet edhe në Parlament dhe Prokurori për këtë çështje, por kërkoi nga qytetarët të mos gënjehen nga deklaratat për përdorimin dhe falsifikimin e të dhënave për zgjedhje.

Ka një ligj theksoi Nikolla për të mbrojtjen e të dhënave personale por ka edhe një udhëzim ministri se si mblidhen ato.

“Ka një ligj që mbron të dhënat, ka edhe një udhëzim të ministres se si mblidhen të dhënat nëpër shkolla. Mos u gënjeni nga historitë se të marrin ty ID dhe e marr unë tani përmes mësueses së fëmijës tënd dhe unë tani prodhoj një kartë”, u shpreh ministrja.

Ajo siguroi se ky projekt po bëhet në mënyrë të studiuar përmes specialistëve më të mirë të IT-së për të ngritur një sistem të sigurt komunikimi.

“Ne prodhojmë çdo javë informacion, “News Letter” quhet në këtë gjuhën e bukur të komunikimit dhe shkon në shumë pak njerëz”, theksoi Nikolla

Deklarata e ministres së Arsimit u bë gjatë turit të llogaridhënies me banorët e Vllahinës dhe Novoselës në Vlorë.
/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.