HAPËSIRË – Zbulohet një vrimë e zezë 20 miliardë herë më e madhe se Dielli

SIDNEJ, 20 maj /ATSH-ANSA/ – Zbulohet një vrimë e zezë me një masë 20 miliardë herë më të madhe se sa ajo e Diellit tonë dhe është krijuar kur universi ishte shumë i ri.

Kjo vrimë e zezë është shumë larg, zgjerohet me një shpejtësi më të lartë se sa ajo e çdo vrime tjetër të zezë që është vëzhguar deri tani dhe po gëlltit materien që e rrethon me një sasi sa dyfishi i Diellit çdo dy ditë, sipas zbulimit të bërë nga Universiteti Kombëtar Australian (ANU) dhe që është botuar në revistën shkencore “Publications of the Astronomical Society of Australia”.

“Kjo vrimë e zezë gjigante lëshon sasi të mëdha energjie që përbëhen kryesisht nga dritë ultravioletë por edhe rreze X”, shkruan Christian Wolf i Shkollës Kërkimore të Astronomisë dhe Astrofizikës dhe koordinator i këtij kërkimi.

“Nëse kjo monstër do të ishte në qendër të Rrugës së Qumështit, do të ndriçonte 10 herë më shumë se sa një hënë e plotë. Do të shfaqej si një yll jashtëzakonisht i shndritshëm, që do të zhdukte nga shikimi të gjitha yjet në qiell”, shtoi ai.

Studiuesit kanë përllogaritur se kjo vrimë e zezë është krijuar rreth 12 miliardë vite më parë dhe rritet 1,0% çdo një milion vite.

“Kjo vrimë e zezë rritet aq shpejt sa që shkëlqen mijëra herë më shumë se sa një galaktikë e tërë për shkak të të gjithë gazrave që thith në vazhdimësi, që shkaktojnë fërkim dhe nxehtësi të lartë”, thekson Wolf.

Vrimat e zeza kaq të mëdha dhe me një rritje ka të shpejtë janë jashtëzakonisht të rralla. /G.S/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.