Forca e ligjit e ashpër për mosvendosjen e impianteve të pastrimit të ujit

TIRANË, 19 Maj/ATSH/.- Forca e ligjit do të jetë e ashpër pas datës 1 qershor për çdo subjekt që derdh ujërat e zeza në det, deklaroi sot në Lezhë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Gjatë inspektimit në një nga resortet që ka instaluar impiantin e pastrimit në Tale të Lezhës, ministri Klosi theksoi “do të jemi shumë të ashpër me këdo, që nuk zbaton lejen mjedisore në raport me shtetin për të pastruar ujërat e zeza dhe për të administruar mbetjet urbane”.

“Kemi ardhur së bashku me një grup inxhinierësh për të parë një impiant të implementuar nga kompania “Margers Italia” dhe me një grup teknikësh, të cilët kanë vënë në zbatim një nga projektet që ne kemi urdhëruar që të implementohen në të gjithë Shqipërinë”, tha Klosi.

Ai bëri të ditur se “çfarë shikojmë këtu është një investim i shkëlqyer, i cili ndihmon edhe vetë kompaninë për të pasur ujë të trajtuar për nevojat e tyre të brendshme dhe natyrisht për të krijuar një sistem që mbron në radhe të parë detin dhe pushuesit që do të vijnë”.

Klosi shtoi se jemi besimplotë që këto përpjekje të para do të implementohen edhe në masa më të vogla e të mëdha në varësi të hoteleve pranë detit.

Ministri Klosi i bëri thirrje pronarëve të këtyre lokaleve apo resorteve të implementojnë të njëjtën teknologji.

“Jemi tashmë në ditët e para të sezonit turistik, kanë ardhur turistët e parë dhe ajo çfarë ofron bregdeti dhe natyra shqiptare, por edhe vetë shqiptarët janë të krahasueshme me atë çfarë ofrohet në rajon, por natyrisht trajtimi i mjedisit është akoma shumë larg asaj që duhet të jetë”, tha Klosi.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se “do të jemi shumë të ashpër me këdo, që nuk zbaton lejen mjedisore në raport me shtetin për të pastruar ujërat e zeza dhe për të administruar mbetjet urbane”.

Impianti i pastrimit të ujërave i vendosur në këtë resort në Lezhë është me një kapacitet trajtimi për 2 mijë persona dhe siguron ujëra të trajtuar edhe për vetë kompaninë. Kjo e fundit synon të vendosë edhe një tjetër impiant për trajtimin e mbetjeve që do t’i shërbejë jo vetëm kompanisë, por edhe komunitetit të zonës./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.