Basha fton qytetarët t’ i bashkohen protestës në 26 maj

278

TIRANË, 19 maj/ATSH-Maela Marini/ – “E nesërmja përcaktohet nga veprimi dhe mosveprimi ynë”, deklaroi sot, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke ftuar qytetarët shqiptarë t’i bashkohen protestës kombëtare të 26 Majit.

Nga selia e PD-së, Basha paraqiti dëshminë e gazetarit investigativ, Jetmir Olldashi, i cili pretendon se ka përgjuar Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm.

Basha tha se “për të shpëtuar rrugën europiane të Shqipërisë sot ka vetëm një pengesë, kapja e shtetit nga krimi”.

“Ndaj ju ftoj të gjithëve, të shtunën (26 maj) në orën 11:00, të bashkohemi me protestën kombëtare për t’i dhënë mesazhin Europës që Shqipëria do të bëjë gjithçka që, qeveria e lidhur me krimin dhe drogën t’i hapë rrugën një qeverie të ndershme, e cila do të vazhdojë me hapjen e negociatave dhe me drejtësinë e barabartë për të gjithë”, tha Basha.

Ai tha se Shqipëria nuk ka shpresë që t’i hapet dera e Europës pa zgjidhur këtë çështje. “Nuk ka  asnjë mundësi. Institucionet e kapura jo vetëm nuk funksionojnë, por bëjnë çdo gjë që ligji të mos veprojë”, tha Basha.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.